E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Vlora, qyteti ku niset lehtësisht biznesi

Të regjistrosh një biznes në Shqipëri, sigurisht që tani është më e lehtë. Por nisja e një aktiviteti biznesi nuk është krejt i lehtë në gjithë qytetet. Por në Vlorë, nëse vendos për të nisur një biznes, sigurisht që do ta kesh më të lehtë. Ky përfundim ka dalë nga raporti i Bankës Botërore, i cili është publikuar dje në Bitola (Manastir) në Maqedoni. Raporti i Bankës Botërore "Të bësh biznes në vendet e Evropës Juglindore 2008" që përfshin 22 qytete të rajonit dhe përqendrohet në katër kritere: fillimi i një biznesi, marrja e licencës, regjistrimi i pasurisë dhe zbatimi i kontratave. Brenda këtyre katër kritereve një ndër qytetet kryesore në Shqipëri, Vlora është renditur ndër të parat për sa i përket kriterit për lehtësitë e fillimit të një biznesi. Sipas raportit të BB-së, lehtësia e të bërit biznes ndryshon shumë midis qyteteve të Evropës Juglindore. Raporti “Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2008 mbulon 22 qytete në shtatë ekonomi: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Mal të Zi dhe Serbi. Për herë të parë, “Të bësh biznes” kalon përtej qyteteve më të populluara për të krahasuar qytetet brenda së njëjtës ekonomi dhe qyteteve të rajonit. Raporti thekson se përderisa disa ekonomi kanë arritur një progres të dukshëm në përmirësimin e klimës së biznesit në nivel kombëtar, Kroacia dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë renditen ndër 10 vendet e para për sa u përket reformave në nivel global vitin e kaluar, ka ende hapësira ku mund të zgjerohen reformat në nivel lokal. “Ky raport paraqet të dhëna në nivel qyteti, të cilat mund të frymëzojnë reforma në nivel kombëtar dhe lokal dhe të fuqizojë reformat në rajon”, - shprehet Jane Armitage, drejtoreshë në Bankën Botërore.

Bitola (Manastiri) në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është në krye të renditjes së qyteteve të vlerësuara nga ky raport. “Ne jemi të kënaqur që ky qytet është zbatuesi më i mirë”, - shprehet Patricia Rader, drejtoreshë e Misionit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shkup. “Reformat e biznesit kanë shumë rëndësi për zhvillimin. Investitorët kanë nevojë për siguri, qeverisje të mirë dhe ligj kontraktual dhe rajoni ka nevojë për investime, me qëllim stimulimin e zhvillimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës”.

Raporti identifikon reforma, të cilat mund t’i bëjnë qytetet më konkurruese, duke zvogëluar shpenzimet dhe risqet e të bërit biznes. Këto përfshijnë konsolidimin e lëshimit të licencave të ndërtimit nëpërmjet ngritjes së “one-stop shop”, prezantimit të regjistrave elektronikë të bizneseve dhe përmirësimin e menaxhimit të rasteve në gjykata. Qytetet mund të mësojnë për zgjidhjen e reformave nga eksperienca e qyteteve të tjera në vendin e tyre ose në rajon. Nëse një qytet do të adoptonte të gjitha praktikat më të mira që zbatohen në Evropën Juglindore, ai do të renditej në vendin e nëntë midis 178 ekonomive të studiuara nga “Të bësh biznes”, i krahasueshëm me renditjen e Irlandës dhe Kanadasë. Kjo nënkupton adaptimin e praktikave më të mira nga Vlora, Shqipëri (për të filluar një biznes); Osijeku, Kroaci (për të marrë lejen e ndërtimit); Pljevlja, Mal i Zi (për të regjistruar pasurinë); dhe Zrenjanini, Serbi (për të zbatuar kontratat). Raporti është realizuar nën drejtimin e FIAS, një shërbim këshillimor për klimën e investimeve të grupit të Bankës Botërore. Ky raport është realizuar me mbështetjen financiare te IFC-së (Korporata Financiare Ndërkombëtare), Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike, Zvicër (SECO). Ajo bazohet në përpjekjet e më shumë se 224 juristëve, kontabilistëve, kontraktuesve, inxhinierëve, specialistëve të pasurisë dhe zyrtarëve të pushtetit qendror dhe lokal. Për më shumë informacion ose për të shkarkuar raportin, mund të vizitoni www.doingbusiness.org/SEE.

Qeveria ul shpenzimet për administratën, rrit investimet në rrugë

Përdorimi i telefonit, udhëtimet, si dietat për administratën publike janë minimizuar krahasuar me disa vite më parë. Nga të dhënat zyrtare rezulton se ky zë ka ardhur gjithnjë e duke u ulur për sa u përket niveleve të shpenzimeve. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave, rezulton se qeveria ka ulur ndjeshëm shpenzimet operative të administratës, ndërsa ka mbajtur të lartë nivelin e shpenzimeve për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor dhe funksionimin e shkollave dhe spitaleve. Sipas Ministrisë së Financave, qeveria ka kufizuar ndjeshëm në raport me PBB– në shpenzimet për funksionimin e administratës qendrore. Zëri i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes në raport me PBB–në për 5 vitet e fundit është në rënie, në vitin 2004 ka qenë 3.2 % e PBB–së, në vitin 2005 ka qenë 3 % e PBB-së, në vitin 2006 ka qenë 2.6 % e PBB-së, në 2007 2.6 % e PBB-së dhe në vitin 2008 2.6 % e PBB–së. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pjesë e këtij zëri janë edhe fondi për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, si dhe shpenzimet për funksionimin e shkollave dhe spitaleve. Këto zëra janë konsideruar prioritarë në programin e qeverisë dhe prandaj madhësia e tyre në raport me PBB-në është në rritje. Ndërsa shpenzimet për administratën qendrore (telefoni, udhëtime, dieta, pritje-përcjellje etj.) kanë pësuar ulje të ndjeshme krahasuar nga vitit 2004 në vitin 2008.

Shpenzimet e administratës në raport me PBB-në:

2004 – 1.45 % e PBB-së

2005 – 1.39 % e PBB-së

2006 – 1.1% e PBB-së

2007 – 1.1 % e PBB-së

2008 – 1 % e PBB-së

Financat po hartojnë listat e taksave për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore

Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe agjencitë respektive që merren me biznesin e mineraleve në vend, ka përgatitur një listë të detajuar për taksat që do të vilen nga shfrytëzimi i pasurive nëntokësore, e cila do t'i bashkëngjitet projektligjit "Për taksat kombëtare". Zv.ministri i Financave, Florian Mima, tha dje gjatë diskutimit të këtij projektligji në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend se “deri më sot qeveria nuk ka pasur një ligj për vjeljen e taksave që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e pasurive të nëntokës dhe mbitokës, por kemi bërë një referencë me “Ligjin minerar”, që parashikon një tarifë rreth 2% vetëm për eksportuesit, duke i bashkëngjitur listën e niveleve të rentës minerare (pjesa që është e vlefshme), e cila varion nga niveli 4-10%.

“Grupi i punës ende nuk ka mbaruar punën, por mendoj se ky amendament do t'i paraqitet shumë shpejt komisionit”, - tha zv.ministri i Financave.

Miratohen në parim ndryshimet në projektligjin "Për taksat kombëtare”

Të ardhurat që do të mblidhen nga taksat e automjeteve, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, nuk do të shkojnë vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në arkën e bashkive dhe komunave. Ky është një nga ndryshimet e parashikuara në projektligjin “Për Taksat Kombëtare”, që u miratua dje në parim nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Zv.ministri i Financave, Florian Mima, i pranishëm në mbledhjen e këtij komisioni, shpjegoi se "taksa e makinave nuk është gjë tjetër veçse një bashkim mekanik i dy taksave ekzistuese, i regjistrimit të automjeteve dhe asaj të qarkullimit. Të dyja bashkohen dhe pasi vilen nga pushteti qendror nëpërmjet agjentit të tij, ndahet në raportin 40% pushtetit lokal dhe 60% pushtetit qendror". Ky operacion, tha Mima, çon në xhepat e pushtetit lokal rreth 2.1 miliardë lekë në vit. Drafti “Për Taksat Kombëtare” parashikon edhe reduktimin e tyre nga 21 në 6, me qëllim eliminimin e barrierave administrative. “Taksat që do të vazhdojnë të jenë kombëtare janë taksa portuale, ajo për regjistrimin e automjeteve, taksa e mjedisit, taksa e rentës minerale, ajo e akteve dhe pullës, si dhe taksa për regjistrimin e lojërave të fatit”, - tha Mima.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›