Bashkimi përforcohet me amerikanë
Klubi i basketbollit Bashkimi po shkon drejt rimëkëmbjes. Prizrenasit të martën pritet të përforcohen me dy basketbollistë amerikanë. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i klubit Portokalli, Shpend Kume.
“Një basketbollist amerikan do të arrijë gjithsesi, por po mendojmë që ta transferojmë edhe një tjetër. Njëri luan në pozitën e fundorit, kurse tjetri në atë të qendrës. Për këto dy pozita kishim nevojë më së shumti. Më shumë rreth tyre do të dihet nesër (të martën), pas mbledhjes së bordit të klubit”, deklaroi zyrtari i klubit prizrenas.
Ndërkohë, Bashkimi është i interesuar edhe për qendrën e Trepçës, Fikret Hanxhiq, por duket se basketbollisti boshnjak do të mbetet në klubin mitrovicas. “Ne ishim të interesuar për Fikretin, por ai kishte kontratë me Trepçën dhe ne vendosëm të tërhiqeshim”, vazhdoi Kume.
Bashkimi e ka mbyllur kampionatin vjeshtor në pozitën e shtatë, atë të parafundit, me 18 pikë të grumbulluara, sa ka edhe Kosova (V), që është e gjashta. Natyrisht, përforcimet me basketbollistë amerikanë do ta ndryshojnë pamjen e klubit prizrenas në pranverë.