E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Rama, po tenton përmbysjen e shtetit ligjor



PD-ja denoncoi dje përpjekjet e socialistëve dhe kryetarit të tyre, Edi Rama, për përmbysjen e shtetit ligjor. Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste për kërcënim të funksionimit të institucioneve demokratike. Z. Patozi iu referua pikërisht ultimatumit 10-ditor të vendosur nga PS-ja si afat për plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit, në rast të kundër kryesocialistit Rama paralajmëroi se do të provokohen zgjedhjet e parakohshme. Pikërisht këtë qëndrim grupi parlamentar demokrat e lexon si kërcënim për themelet demokratike. Patozi vuri në dukje se mazhoranca ka bërë të qartë se nuk do të pranojë ultimatumin e Edi Ramës për hapjen e kutive. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, e cilësoi kushtin e Ramës si një përpjekje të dështuar për të përmbysur shtetin kushtetues.

“Grupi parlamentar i PD-së e denoncon ultimatumin e z. Rama, me të cilin ai po kërkon të përmbysë themelet e sistemit demokratik, duke e konsideruar atë një akt sa qesharak, aq edhe domethënës. Grupi parlamentar i PD e fton z. Rama që këtë ultimatum t’ia nisë Enverit, Spiros apo Kristaqit, si familja e tij historike dhe biologjike. Ne i themi kryetarit të PS-së se me dhunë dhe me ultimatume ke vetëm një rrugë: të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik”, -theksoi z. Patozi. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike përmes tij e denoncon ultimatumin e z. Rama, me të cilin ai po kërkon të përmbysë themelet e sistemit demokratik, duke e konsideruar atë një akt sa qesharak, aq edhe domethënës. Sipas z. Patozi, për deputetët e PD-së, motivet e këtij kërcënimi janë fare të qarta. “Për të arritur deri këtu, zoti Rama është frymëzuar nga familja e tij historike dhe ideologjike, ati i tij shpirtëror, Enver Hoxha, daja dhe babai i vet biologjik, Spiro Koleka dhe Kristaq Rama. Por, ky ultimatum inspirohet gjithashtu edhe nga familja e tij mafioze e Don Gramozit, Kokëdhimës dhe të tjerë si ata. Kjo thirrje për të përmbysur me forcë rendin kushtetues dëshmon se ky pinjoll i diktaturës komuniste dhe njëkohësisht bos i familjes më të rrezikshme mafioze të vendit, po kërkon të dhunojë vullnetin e shqiptarëve, të shprehur me zgjedhje të lira më 28 qershor”, - u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›