E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2010, Nishani: Zhurmues valëve telefonike të të burgosurve



Në buxhetin e vitit 2010, qeveria ka parashikuar një fond prej 30 milionë lekësh për projektin e sistemit të bllokuesve të valëve të telefonave celularë. Sipas ministrit të Drejtësisë, një gjë e tillë siguron plotësisht mosfunksionimin e aparateve celularë në sistemin e burgjeve dhe rrit ndjeshëm elementët e sigurisë.

Ministri Nishani ishte dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku zbardhi fondet e qeverisë për dikasterin që ai drejton, pjesë e buxhetit të vitit 2010. Nishani vuri në dukje se fondet e propozuara në projektligjin për buxhetin e vitit 2010 janë në rritje të vazhdueshme dhe plotësojnë nevojat për një zhvillim normal të aktivitetit. Më konkretisht, në krahasim me vitin 2009, ka një rritje afërsisht 8% (7.469%) ose 475 milionë lekë. Ai sqaroi se këto fonde për vitin 2010 në raport me vitin 2009, rezultojnë me një rritje prej 18.8% ose 601 milionë lekë. Rritjen më të madhe e ka Sistemi i Burgjeve, jo vetëm si pasojë e numrit të lartë të punonjësve, por dhe si rrjedhojë e zbatimit të ndryshimeve në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”. “Vetëm për Sistemin e Burgjeve kemi një rritje 17.6% ose 411 milion lekë. Gjithashtu, rritje të ndjeshme ka dhe Shërbimi për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme me 36% ose 125 milionë lekë. Shpenzimet Operative paraqiten me një ulje në masën 5% ose 60 milionë lekë në raport me buxhetin fillestar të vitit 2009 dhe janë në të njëjtin nivel me buxhetin e rishikuar të vitit 2009”, - tha z. Nishani. “Duke pasur në konsideratë, - shtoi Nishani, - faktin e uljes së pritshme të shpenzimeve të transportit (pakësimi i numrit të autoveturave) dhe uljen e pritshme të numrit të të dënuarve si rezultat i aplikimit të dënimeve alternative (Shërbimi i Provës), ulja në këtë drejtim është më se e drejtë dhe buxheti i alokuar është më se i përballueshëm për aktivitetin normal të institucioneve të Ministrisë së Drejtësisë”.

“Fondet me destinacion për kompensimin monetar të ish-pronarëve, duke filluar nga viti 2006, kanë një rritje konstante prej 100 milionë lekësh për çdo vit. Për vitin 2010 në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2009 kemi një rritje prej 17%. Nga negocimet me Ministrinë e Financave është arritur në konkluzionin se ky fond do të rritet gjatë vitit 2010, sikundër u realizua edhe gjatë vitit 2009, ku ky fond u rrit me 1 miliard e 170 milion lekë”, - u shpreh z. Nishani. Ministri përmendi disa prej projekteve që i shërbejnë një funksionimi sa më të mirë të institucioneve të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe do të ofrojnë shërbime efikase për palët e interesuara: investimi në programin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor me vlerë 50 milionë lekë për vitin 2010. Nëpërmjet këtij projekti synohet marrja e informacionit dhe ndjekja e problematikës në çdo kohë. Është projektuar që sistemi do të ketë të dhëna të vazhdueshme online që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për ekzekutim të vendimit nga palët e interesuara deri në momentin e likuidimit online nga banka, duke evidentuar njëkohësisht problematikën e lindur gjatë procesit të ekzekutimit. Projekti i Informatizimit të Sistemit Penitenciar me vlerë 46 milionë lekë. Nëpërmjet këtij projekti synohet një informatizim i plotë i Sistemit Penitenciar në Shqipëri, duke siguruar marrjen dhe shkëmbimin e informacionit në një kohë të shkurtër dhe të plotë. Deri tani në Sistemin Penitenciar nuk ka funksionuar asnjë lloj projekti informatik. Arkivi Elektronik i Sistemit të Drejtësisë me vlerë 8 milionë lekë. Krahas arkivit fizik të sistemit të drejtësisë është e nevojshme edhe krijimi i arkivit elektronik ku të gjitha të dhënat do të ruhen në mënyrë paralele. Ky projekt synon skanimin dhe ruajtjen e të dhënave të të gjitha dosjeve që janë aktualisht pranë gjykatave. Projekti parashikohet të zgjasë 3 vite. Në vitin e parë do të përgatitet programi i nevojshëm, në vitin e dytë dhe të tretë do të operohet me skanimin dhe hedhjen e të dhënave. Përmirësimi i lidhjes online të sistemit gjyqësor me Ministrinë e Drejtësisë, me vlerë 13 milionë lekë. Për këtë projekt theksojmë faktin se me financim të BE-së u përgatit një sistem i lidhjes së ndërgjyqësorit me Ministrinë e Drejtësisë, i cili nuk rezultoi efiçent. Për këtë është menduar krijimi i një sistemi të ri i cili do të eliminojë të gjitha defektet e programit ekzistues, por duke shfrytëzuar bazën logjistike të sistemit të parë etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›