E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkitë të ulin taksat pas një jave do të ndërhyjë qeveria”

Kryeministri Berisha përuron përfundimin e punimeve të autostradës Lushnjë-Fier dhe paralajmëron vendorët

TIRANE - Kryeministri, Sali Berisha ka bërë thirrje që gjithë bashkive të vendit që të ulin taksat dhe tatimet. Këtë deklaratë kryeministri Berisha e bëri ditën e djeshme gjatë përurimit të autostradës Lushnjë-Fier.
Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e përfundimit të autostradës Lushnjë-Fier. Kryeministri Berisha vlerësoi standardin e ndërtimit të kësaj autostrade, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ajo në lidhjen e dy epiqendrave të Myzeqesë, Lushnjes dhe Fierit dhe në zhvillimin e tyre.
Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të kompanisë ndërtuese Maltauro & Delma.
“Nëse doni të kontribuoni në parandalimin e pasojave të krizës, ulni taksat dhe tatimet për bashkitë që qeverisni”, u shpreh kryeministri.
Duke sjellë në vëmendje politikat e kryebashkiakut të kryeqytetit, i cili ndërkohë që flet për krizën kërkon rritjen e taksave, Berisha u shpreh se “nga njëra anë kryetari i PS dhe njëkohësisht kryebashkiaku, bërtet për krizën, nga ana tjetër ka katërfishuar taksën e gjelbërimit dhe del e numëron pemët, siç numëron votat e Këshillit të Bashkisë, 3, 5, 7, 11”, u shpreh kryeministri.
Kreu i ekzekutivit u përsëriti dhe njëherë kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin se “unë ju bëj thirrje, konsiderojeni seriozisht uljen e taksave, keni një javë afat, në të kundër qeveria do të vendosë “kufirin te thana”.
Duke marrë parasysh faktin se bota është përfshirë nga kriza ekonomike, kryeministri Berisha u ka kërkuar zotërinjve të opozitës, “mos derdhni lot krokodili, mos u bëni kollagjer që ndillni çdo ditë zi dhe vetëm zi. Është vërtetë që ka një krizë botërore të rëndë, është e vërtetë se ajo pasqyrohet kudo, por është e vërtetë se qeveria ime disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet, pagat, ashtu  siç ka premtuar, për të dyfishuar pensionet tuaja në 1 maj dhe për të dyfishuar rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, për të filluar të gjitha projektet që shpalla këtu para jush”.
Kryeministri u ka kujtuar opozitarëve se “në rast se Shqipëria e mbylli vitin 2008 me rritjen më të madhe në Evropë, e mbylli në sajë të politikave të drejta të kësaj qeveria, kundër të cilave ju votuat ‘non stop’ vazhdimisht  në Parlament. Bëhuni shembull që të besoheni”, u shpreh kryeministri.
Më tej, shefi i ekzekutivit, Berisha i ftoi të gjithë qytetarët që të kryejnë “një akt të madh qytetarie, një akt të lartë përgjegjësie, të merrni letërnjoftimet elektronike, sepse ne patëm fatin të marrin një letërnjoftim nga më modernët që ekziston sot në Evropë, t’i merrni që të zhvillohen zgjedhje më të lira dhe më ndershmet që ka njohur Shqipëria ndonjëherë, t’i merrni që t’u dëshmojmë partnerëve tanë se ne kemi dokumentet me të sigurta të identitetit, që ne e meritojnë plotësisht heqjen e vizave. Më lejoni t’ju premtoj se, pas anëtarësimit në NATO, stacioni i dytë madhor i përbashkët do të jetë heqja e plotë e vizave për shqiptarët”, u shpreh kryeministri Berisha.

Projekte të tjera në Myzeqe, Lushnjë e Fier
Duke falënderuar qeverinë italiane për financimin e këtij projekti, kryeministri Berisha u shpreh se “ne sot le t’i shprehim mirënjohjen më të thellë kombit mik italian, qeverisë italiane për bujarinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre viteve të ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Autostrada që inauguruam është kontribut tërësor i qeverisë italiane dhe i taksapaguesve italianë”, tha kryeministri.
Autostrada Lushnjë-Fier, ka një gjatësi 21.5 km. Vlera totale e vënë në dispozicion nga qeveria italiane për ndërtimin  e saj është rreth 20 milionë euro. Autostrada është realizuar nga firma e ndërtimit Maltauro & Delma. Në këtë projekt, krahas autostradës me katër korsi, janë përfshirë dhe ndërtimi i lidhjeve midis rrethrrotullimit të Lushnjes dhe kilometrit zero të aksit te ri Lushnjë-Fier, ndërtimi i tre mbikalimeve për automjetet, si dhe ndërtimi i pesë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat janë realizuar në pjesën e parë nga rrethrrotullimi i Lushnjës deri në rrethrrotullimin  e Kolonjës.
Gjatë javëve që vijnë, 5 projekte të tjera të mëdha do të fillojnë në Myzeqe, në Lushnjë, Fier. Kryeministri tha se së shpejti fillon rruga Fier–Cakran, rruga Divjakë–Pushimi i Shoferit, rruga Lushnjë-Ballagat-Peqin, rruga Kosovë–Belsh. Natyrisht, segmenti që lidh qendrën e qytetit me autostradën do të marrë përmasat që meriton. Mbi 100 kilometrave rrugë të asfaltuara në komunat dhe akset kombëtare të Lushnjës, u shtohen tani edhe rreth 100 kilometra të tjera që do të asfaltohen në rrethin e Fierit.
“Zotimi ynë është që çdo fshat e komune Myzeqesë  të lidhet me akset kombëtare me rrugë të asfaltuara, të standardeve më të mira.  Në këtë mënyrë, ne besojmë se qytetarët e Lushnjës do të zhvillojnë fermat e tyre, do të kapin me shpejtësi tregjet. 2 muaj na ndajnë nga inaugurimi i korridorit shqiptar Durrës-Kukës- Morinë. Myzeqeja është një nga përfituesit më kryesor të këtij korridori. Për ju hapet tregu i Kosovës”, tha Berisha.
Shqipëria nuk do të vuajë më, mungesën e energjisë elektrike, por përkundrazi do të kthehet në një superfuqi energjetike në Ballkan, ku edhe do të eksportojë drejt vendeve të tjera. Kështu deklaroi dje kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Lushnjë.
Kreu i qeverisë, ju drejtua banorëve se “mandatin e dytë, ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë”.
Ne e mbajtëm fjalën tonë, u shpreh Berisha, ne u zotuam se në fundin e vitit 2007 e më tej nuk do të ketë më ndërprerje të programuar të energjisë elektrike. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›