Supertaksat bashkiake të Ramës pengojnë qytetarët për të aplikuar për karta identiteti
Numri dy i qeverisë Pollo tha se Shqipëria nuk është si bashkia e kryeqytetit, ku askush nuk mund të marrë certifikatë pa paguar supertaksën e Edi Ramës, që i përjashton nga të gjitha shërbimet e tjera. Sipas tij qeveria do të organizojë dhe mbështesë transportin e shtetasve shqiptarë nga fshatrat e largët e deri tek zyrat e gjendjes civile, për krijimin e kushteve për ata shtetas që për arsye ekonomike, por dhe logjistike, ende nuk kanë aplikuar
TIRANE - Partia Demokratike bën përgjegjës kryebashkiakun Tiranës, Edi Rama, për vonesat e vërejtura në kryeqytet porsa i përket pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Grupi i Këshilltarëve në Këshillin e Bashkisë Tiranë, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se Rama ka katërfishuar taksat duke pamundësuar për shumë qytetarë shërbimin normal në sportelet e minibashkive.
“Kryetari i bashkisë së Tiranës dhe njëherazi Kryetari i PS, po pengon pajisjen e shtetasve me letërnjoftim mbasi nga një anë me lot krokodili qahet për letërnjoftime falas nga ana tjetër i ka urdhëruar zyrat e gjendjes civile që të mos lëshojnë certifikata që duhen për shtetasit pa pasaportë në rast se nuk kanë paguar taksat e tij të pastrimit e të gjelbërimit, të cilat janë disa herë fishuar; janë katërfishuar këtë vit dhe janë 10-20 herë më të larta sesa vetë çmimi për letërnjoftimin. Qytetarët paguajnë 4 herë më shumë për pastrimin dhe ndërkohë që pastrimi i qytetit ka dështuar. Edi Rama po seleksionon nga pikëpamja partiake personat që paguajnë taksat. Kështu ndërsa nga kjo pagesë nuk përjashtohen as edhe invalidët, militantët dhe falangat e tij e kryejnë atë pa pagesën e këtyre taksave të vendosura e të rritura artificialisht”, deklaroi zëdhënësi i këshilltarëve demokratë në këtë bashki, Ferdinand Poni.
Në emër të këshillit bashkiak; në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike në këtë Këshill, Poni i kërkoi kryebashkiakut Rama që të heqë për këtë vit; të gjitha taksat e tarifat e tjera përveç taksës së biznesit të vogël, në mënyrë që të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe të inkurajojë pajisjen e shtetasve me letërnjoftimet elektronike. “Ne i kërkojmë zotit Rama të heqë dorë në mënyrë të menjëhershme nga praktika totalisht antiligjore e lidhjes së certifikatave dhe dhënies së tyre kushtëzuar nga pagimi i taksave lokale. Qeveria ka propozuar projekt ligjin për reduktimin e taksës së biznesit në jo më shumë se 10 për qind nga niveli kombëtar por në rastin e Tiranës mirëpërdorimi i fondeve do të sillte dukshëm uljen e taksave apo edhe heqjen e tyre në mënyrë të përkohshme”, deklaroi ai.