“Edi Rama të aplikojë dhe apelojë për pajisjen me karta identiteti”
Reagon Zëvendëskryeministri Genc Pollo
TIRANE - Dje në seancë plenare zëvendëskryeministri, Genc Pollo i ribëri thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama që t'i bashkohet procesit të aplikimit të kartave të identitetit. Sipas tij “i vetmi që nuk ka aplikuar nga përfaqësuesit e lartë politikë është
Edi Rama, i cili vazhdimisht del me një tezë tjetër”.
Duke shprehur angazhimin e qeverisë në përmbushjen e këtij standardi të rëndësishëm për zgjedhjet e 28 qershorit, ai vlerësoi nismën e shpallur dje nga kryeministri Sali Berisha për t'i ofruar karta identiteti falas komunitetit rom, sikurse ka ndodhur dhe me kategorinë e paraplegjikëve dhe të të verbërve.
“Është ironike që kryetari i PS-së, i cili vazhdimisht ngul këmbë në pretendimet e tij asburde për karta veresie, nuk e përshëndeti këtë nismë”- tha Pollo.
Në kuadër të këtij procesi, numri 2 i qeverisë nënvizoi se qeveria do të organizojë
dhe mbështesë transportin e shtetasve shqiptarë nga fshatrat e largët e deri tek zyrat e gjendjes civile, për krijimin e kushteve për ata shtetas që për arsye ekonomike, por dhe logjistike, ende nuk kanë aplikuar. “Shqipëria nuk është si bashkia e kryeqytetit, ku askush nuk mund të marrë certifikatë pa paguar supertaksën e Edi Ramës, që i përjashton nga të gjitha shërbimet e tjera. Ky është modeli i ofruar nga kjo bashki, i cili duhet ndryshuar patjetër. Dhënia e dokumenteve nuk duhet kushtëzuar nga supertaksat që vendos një kryebashkiak i papërgjegjshëm”, deklaroi dje Pollo.
Deklaratat e Genc Pollos erdhën si reagim i akuzave të përsëritura të deputetëve socialistë për vonesa në procesin e pajisjes që qytetarëve shqiptarë me kartat e reja
të identitetit. Deputeti socialist, Blendi Klosi nuk ngurroi madje që të sulmojë edhe kompaninë koncensionare për prodhimin e këtyre letërnjoftimeve ‘Sagem Securite” për shkelje të afateve të parashikuara.
Deputeti i PS përsëriti kërkesën që parlamenti të miratojë sa më parë vendimin për dhënien falas për të gjithë qytetarët të kësaj karte.