“Rama ka frikë nga humbja, të japë dorëheqjen nga bashkia të mos pengojë procesin zgjedhor”
Kryeministri Sali Berisha, flet te “Opinion”, Për NATON, integrimin në BE, zgjedhjet, shpërndarjen e kartave të identitetit, etj
TIRANE - Qëndrimet e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tregojnë qartë se ai po vuan nga kompleksi i tmerrshëm i humbjes totale të zgjedhjeve, çka do të vinte në pikëpyetje të madhe karrierën e tij politike. Mirëpo siç edhe është bërë e ditur, Rama nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga të qenurit kryetar bashkie dhe të angazhohet me partine e tij, në zgjedhjet parlamentare, për të kandiduar si kandidat në mënyrë që të kishim një përputhshmëri me profilin e tij si kryetar partie.
Lidhur me këtë fakt, kryeministri Sali Berisha, i bëri thirrje dje, që të japë dorëheqjen dhe të pranojë të futet në garën elektorale.
“Problemi i zgjedhjeve për zotin Rama, nuk është çështja e kartave falas apo jo falas. Problemi i tij, është humbja e sigurt e zgjedhjeve. Imagjinoni ju që të bëjë politikë, një kryeministër me një kryetar bashkie. Nuk shkon dot një i ngjall me një jo të gjallë. I Bëni thirrje edhe ju si gazetarë, që të japë dorëheqjen dhe të futet në garë për zgjedhjet”, u shpreh kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha, denoncon qëndrimin absurd dhe të dyshimtë të Edi Ramës, lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit.
Shefi i ekzekutivit, vuri në dukje se Rama asnjëherë nuk i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, por përkundrazi i dekurajon ata, që të shkojë të aplikojnë për kartat reja të identitetit.
“Së pari, është normale që opozita të rrijë me lupë për procesin zgjedhor. Së dyti, ajo që unë shpreh shumë keqardhje, se nga dita e parë e këtij procesi tepër të rëndësishëm, kreu i opozitës nuk ka bërë asnjëherë thirrje qytetarëve për kartat. Ka bërë mbi 53 deklarata dekurajuese”, tha Berisha.
Duke iu referuar tezës së socialistëve për kartat falas, Berisha tha se “nuk mund të pranojmë që t’i japim falas kartat, një kontingjenti qytetarësh me rrogë mesatare 420 $”. Unë mund të shtoj se qeveria i ka përcaktuar kontingjentet e qytetarëve që përfitojnë letërnjoftime elektronike falas.
Anëtarësimi në BE, është proces i pandalshëm pas integrimi në NATO, u shprejh më tej Berisha
“Anëtarësimi në NATO, është një platformë me një impakt jashtëzakonisht pozitiv, për të gjitha proceset e këtij vendi. Është besimi i paprecedentë ndonjëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Besim nga institucionet ndërkombëtare, besim nga BE, Shqipëria është anëtare e NATO-s tashmë. Pra, unë nuk them se janë procese të njëjta. Anëtarësimi në BE është më kompleks. Unë mund të them se është një proces i pandalshëm. Ka dy faktorë që nuk e pranojë. Është kriza ekonomike. Me shumë të parashikuara, që po rrit në mënyrë progresive papunësinë. Së dyti, procesi i Lisbonës. Pasi kushtetuta ku u punua 7 vjet më intensitetin më të lartë, ngeli në letër, u hartua Traktati i Lisbonës, që varet nga Irlandezët”, deklaroi Berisha.
Liberalizmi i vizave-6 mujorin e parë të mandatit të dytë të kësaj qeverie, ripërsëriti premtimin dje Berisha.
“Ju garantoj se ai proces do të realizohet plotësisht deri në fund të këtij viti.
6 mujorin e parë të mandatit të dytë të kësaj qeverie. Vendet e tjera të rajonit kartat e identitetit i kanë të kompletuara vite më parë, ndërkohë që ne po i realizojmë me shpejtësi. Qeveria që unë drejtoj ka si synim madhor liberalizimin e shpejtë të vizave”.
Sipas Berishës, “Qeveria socialiste ndërtoi murin e krimit dhe korrupsionit, ndaloi procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO”.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, se kriza financiare në Shqipëri, rebelimi komunist i vitit 1997 dhe qeveria e formuar pas trazirave, janë faktorët kryesorë që penguan anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO.
Berisha foli edhe për lufta kundër korrupsionit, sipas të cilit, institucionet ndërkombëtare, nxorën qeverinë kampione në betejën kundër këtij fenomeni
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se vizita e planifikuar për t’u zhvilluar në Kosovë, ndërmjet fundit të muajit prill dhe fillimit të majit, do të zhvillohet kur të inaugurohet rrëzimi i “Murit të Berlinit”, pra hapja përfundimtare e tunelit në segmentin Rrëshen-Kalimash. I pyetur nga gazetarët se kur do ta zhvillojë këtë vizitë në Kosovë, Berisha tha se “në trevën shqiptare të Kosovës, jam çdo ditë me mendje me shpirt dhe me zemër”. Do të shemb “Murin Berlinit”, tunelin e Kalimashit dhe do të shkoj në Prishtinë”, tha kryeministri.