E Diel, 1 Nëntor 2026

Bastet akuzat zyrtare nga prokuroria

Pas arrestimeve të bujshme të kryera në pjesën e dytë të skandalit “Last Bet”, prokurorët e Kremonës kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku sqaruan situatën për 19 personat e përfshirë. Në aksionin e policisë të zhvilluar në 23 qytete morrën pjesë 280 agjentë, ndërsa prokurori Roberto Di Martino ka dhënë detaje për çdo akuzë apo dyshim, si edhe për atë që mund të ndodhë në të ardhmen.

“Nga kombëtarja italiane nuk ka asnjë lojtar tjetër të përfshirë, përveç Krishitos, ndaj të cilit u kryen disa kontrolle në grumbullimin në Koverçano. Bëhej fjalë vetëm për konfirmim informacionesh, por nuk ka asnjë akuzë zyrtare për lojtarin, që në situatën aktuale mund të marrë pjesë në Euro 2012”, nënvizoi prokurori Di Martino. Gjithsesi, pas kontrollit nga agjentët, ish-mbrojtësi i Xhenoas nuk u stërvit gjatë paradites me skuadrën “axurre”.

Përsa i takon kontrollit në shtëpinë e trajnerit Antonio Konte, prokurori sqaroi se “gjithçka lidhet me ndeshjet e Sienës në vitin 2011, ku të dyshuara janë 7-8 takime. Prej dyshimeve për trukime na është dashur të kryejmë kontrolle te persona që kanë qenë pjesë e skuadrës, sfatit dhe klubit, si presidenti apo ish-trajneri”.

Lacio dhe Xhenoa janë është seriozisht të rrezikuara nga klubet, për ndeshjen ku bardhkaltërit fituan 4-2. Përpara atij takimi, policia ka fotografuar të kërkuarin boshnjak Safet Altiç së bashku me lojtarët Skuli dhe Krishito, dy drejtuesi të tifozëve ultras të Xhenoas dhe shqiptarin Kujtim Qoshi që dyshohet si mik i Altiç. Bastet në atë ndeshje kanë kapur shifrat 480 mijë dhe 900 mijë euro.

Por, Lacio rrezikon edhe për ndeshjen me Leçen, ku prokurori Di Martino sqaroi: “Vetëm në Leçe-Lacio janë fituar 2 milionë euro nga bastet, ku 600 mijë euro janë përdorur për të blerë lojtarët, tha ai. Por, ka edhe ndeshje të tjera të dyshuara nga Seria A, si Bari-Sampdoria”.

Në fund, prokurori sqaroi se bastet ndikoheshin nga grupi hungarez, që sipas hetimeve drejtohej nga Zoltan Kenesei, ndërsa në biznesin e ndeshjeve të blear në Itali ata kishin zëvendësuar grupin e “ciganëve” që kishte marrë një goditje të fortë pas arrestimeve të vitit 2010 në Kroaci, për skandalin e basteve në këtë vend.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›