E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet per 100 metrat ne atletike

Nuk do të ketë asnjë tjetër përveç dy njerëzve nga Xhamajka. Në garën e shpejtësisë maksimale humane në “Londër 2012” parashikimet janë që fitues do të jetë ose Usain Bolt, ose Johan Blejk. Në 100 metrat e atletikës, nuk bëhet fjalë as për patriotin e tyre, Asafa Pauell, dhe as për amerikanin Tajson Gej, njeriun e dytë më të shpejtë në histori.
Mos harroni që jemi në Londër dhe britanikët e kanë vënien bast si sport kombëtar. Ndaj kanë shumë rëndësi parashikimet e kompanive të basteve. “Uilliam Hill”, një nga më të mëdhatë dhe të respektuarat e botës, e jep gjithsesi Usain Boltin si favorit kryesor për të fituar 100 metrat, por tani Blejk është shumë pranë tij.
Që nga 4 vjet më parë dhe madje që nga janari, gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm dhe Blejk ka fituar kuota për shkak të triumfit në kampionatin botëror, por edhe të problemeve fizike të kampionit olimpik dhe të rekordmenit botëror.
“Do të jetë një garë e madhe dhe e shpejtë, - thotë Blejk, - në garë do të jenë shumë djem që vrapojnë shpejt, por askush nuk mendon për rekordin, të gjithë duan medaljen e arit”.
Rivali amerikan, Tajson Gej, thotë se “është e vështirë, por duhet të kthehem në shtëpi të paktën me një medalje”.
Së fundi, ish-rekordmeni botëror, Asafa Pauell. “Kam 9 muaj që stërvitem për këtë ditë dhe nëse nuk do të dal në podium, do të jem vërtet i zhgënjyer”, - thotë ai.
Usain Bolt mban titullin olimpik dhe rekordin botëror të vendosur një vit pas Pekinit. Ai ka kohën 9”58 dhe padyshim është më i forti sprintier i botës, veçse vetëm kur është në gjendje optimale.
Një punonjës i zyrës së shtypit në “Uilliam Hill”, Xho Krilli, thotë se “Usain Bolt mbetet favorit, që kur fitoi në Pekin, madje që 4 vjet më parë viheshin baste për fitoren e tij në Londër”. Më tej ai vazhdon duke u shprehur se “gjërat kanë ndryshuar dhe Blejk ka shanse të mëdha për shkak të formës së tij të mirë”. 
Finalja e 100 metrave në atletikë zhvillohet të dielën në 20:30 dhe pritet të jetë finalja më e madhe e krejt Lojrave Olimpike. Natyrisht, për të pritet të vihen më shumë baste se për çdo gjë tjetër në Londër 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›