Mbreteroret sportive
Dikur në Rusi, ish-presidenti Boris Jelcin u shfaq para publikut duke pasur në duar një raketë tenisi. Më pas erdhi shkëlqimi i Sharapovës me shoqe. Presidenti i sotëm rus, Vladimir Putin, nuk humb rast për të promovuar xhudon, ndërsa një çift mbretëror britanik kërkon të promovojë krejt ekipin olimpik dhe ta falenderojë për atë që po bën në Olimpiadë.
Princi Uilliam dhe e shoqja e tij, princesha e shkëlqyer Kejt, vizituan shtëpinë e skuadrës britanike në Fshatin Olimpik. Bëhet fjalë për takime që në pamje të parë janë formale, ndonëse në brendësi kanë mjaft domethënie dhe emocion.
Në një moment, në takim janë edhe pjesëtarët e forcave të armatosura, njerëz që po garantojnë sigurinë e lojrave, jetën e sportistëve, stafeve dhe spektatorëve.
Po ashtu, aty ishin edhe vullnetarë të shumtë që përfaqësojnë me mijëra njerëz që po punojnë çdo ditë në mënyrë që këto Lojra të mund të zhvillohen sipas parashikimeve.
Uilliam dhe Kejt janë tepër të lumtur të takojnë yje të tillë të sportit si Bredli Uigins i çiklizmit, të takojë ekipet e çiklizmit në pistë që kanë fituar 3 të arta, notaret, vozitësit, kalorësit, gjimnastët apo xhudistët, njerëz të shkëlqyer që e kanë bërë Britaninë e Madhe një nga ekipet më të fortë në këtë Olimpiadë.
Ky çift i ri, që do të jetë e ardhmja e shtëpisë mbretërore britanike, ishte në shtëpinë e sportistëve në Londër pikërisht në momentin kur një ekip i çiklizmit në pistë fitoi një tjetër medalje të artë për të zotët e shtëpisë.