E Diel, 1 Nëntor 2026

Bastet përfshijnë edhe Totin, romanisti “xhindoset”

ITALI- Kapiteni i skuadrës verdhekuqe ka thënë se ndeshja mes Fiorentinës dhe Romës do të ketë shumë gola. Kjo fjali, e thënë gjatë përgjimit të një bisede mes Masimo Erodianit, drejtuesit të një agjencie bastesh dhe Marko Piranit, dentist i Ankonës, ka hedhur hije të forta dyshimi mbi Françesko Totin, kapitenin e Romës. Përgjimi është bërë më 21 mars, ndërsa ndeshja Fiorentina-Roma më pas përfundoi 2-2. Në fakt, në transkriptim nuk thuhet se për cilin bëhet fjalë konkretisht, por duke qenë ndeshja Fiorentina-Roma, dyshimi është ngritur mbi Totin. Një gjë e tillë e ka habitur dhe xhindosur kapitenin verdhekuq, që e ka parë dje në mëngjes emrin nëpër gazeta. “Unë gjithsesi jam i qetë, sepse nuk kam aspak lidhje me këtë çështje. Në ditët e ardhshme do të vazhdoj të fle i qetë, ndonëse kur e pashë u inatosa. Edhe pse nuk kam asnjë lidhje, më del emri në shtyp”, u shpreh ai. Ndërkohë edhe klubi i Romës doli në mbrojtje të kapitenit të saj.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›