E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradeci mundi 2-1 Vllaznine ne ndeshjen e pare te javes se 20-te

Një ekip mund të jetë në gjendje që të fitojë edhe në fushën e një kryesuesi, por pastaj të humbasë ndeshje teorikisht shumë më të përballueshme. Ky është rasti i Vllaznisë që u mund në Pogradec me rezultatin 1-2, në takimin hapës të javës së 20-të të Superligës.

Veçse, siç do ta shikojmë në kronikë, të paktën barazimi mund të ishte arritur dhe ndoshta përgjegjësia për humbjen mbetet e gjyqtarëve.

Pavarësisht nga suksesi në Durrës ndaj Teutës dhe ai në Shkodër ndaj Flamurtarit, kuqeblutë nuk treguan shumë fuqi.

Vendasit shënuan golin e parë që në minutën e 23-të me një penallti të ekzekutuar nga Çipi dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Në të dytën, shumë shpejt, ishin vetë shkodranët që shënuan gol në portën e vet dhe autor i autogolit ishte kapiteni Belisha.

Pas dizavantazhit 0-2, miqtë reaguan dhe arritën të shkurtonin diferencën në 65’ me anë të Hajdarit, duke rihapur ndeshjen.

Në minutën e 81-të, shkodranët e shënuan golin e dytë sërish me anë të Hajdarit, por gjyqtari Hoxha e anuloi, për pozicion jashtë loje. Pamjet e përsëritura me ngadalësim tregojnë se vendimi i gjyqtarit është tepër i dyshimtë dhe pas tij erdhi edhe protesta e trajnerit shkodran, Rudi Vata.

Ish-kapiteni kuqezi pati më pas edhe një debat me një tifoz vendas, duke e ftuar madje që të zbriste në pistë për të sqaruar mosmarrëveshjen. Në fund, Erkoçeviç rrezikoi me një roveshatë, por nuk mundi të barazonte. Me këtë fitore, vendasit u ngjitën në 17 pikë, duke qenë më pranë shpëtimit.

Pas përfundimit, Vata shkoi edhe një herë të protestonte tek gjyqtarët, por përfundimi ishte në mënyrën më civile të mundshme, duke duartrokitur tifozët dhe duke u përshëndetur me trajnerin e futbollistët vendas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›