E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasano rikthehet tek Milan Alegri i shqetesuar per mungesat

Do të jetë një rikthim i madh tek kuqezinjtë, por edhe një mungesë po kaq e madhe në ndeshjen e radhës në Serinë A. Milani luan ndaj Fiorentinës në “San Siro” në javën 31-të të kampionatit dhe trajneri Alegri ka mundur të thërrasë në ekip Antonio Kasanon. Barezi troket në portat e skuadrës pas 5 muaj mungese për shkak të një problemi në zemër që mund t’i rrezikonte jetën dhe karrierën. Por, Milani nuk do të ketë në ekip Boatengun, Nestën, Antoninin dhe Zedorfin që janë lënë pushim.

Duke mbetur në Milano, por duke kaluar tek Interi, trajneri i ri Stramaçoni fton skuadrën që të mos mendojë për renditjen në prag të takimit ndaj Kaljarit. Fitorja në shtëpi ndaj Xhenoas ka rritur moralin për udhëtimin drejt Sardenjës, veçse trajneri thekson se nuk është arritur ende asgjë. “Nuk mendojmë për vendin e tretë, por për ndeshjen e radhës, - thotë Stramaçoni, - sot për sot, klasifikimi nuk më intereson”.

Ndërkaq, tek Roma, trajneri Luis Enrike kërkon në radhë të parë fitore. i ardhuri nga Barcelona, një admirues i zjarrtë i lojës së bukur, ka vendosur që për pak javë të ndryshojë prioritetin e tij. “Na duhen 3 pikët, - shprehet katalanasi, ndërsa kryeqytetasit do të shkojnë në Leçe, - këto janë më të rëndësishme sesa loja e bukur. Duhet të arrijmë vendin e tretë dhe të shkojmë në Champions”. Veçse, Luis Enrike do të ketë një mungesë të rëndësishme, pasi në Pulja nuk do të jetë kapiteni Françesko Toti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›