E Diel, 1 Nëntor 2026

Basti i Luis van Gal: Besoj se Bajerni do të fitojë 1-0

Holandezi mendon se “vjollcët” janë të fortë edhe pa Adrian Mutun, ndërsa beson se forca e gjermanëve është skuadra Trajneri i bavarezëve, optimist për sfidën e sotme me Fiorentinën

Përpara sfidës Bajern-Fiorentina, trajneri Luis van Gal ka theksuar sesa i rëndësishëm është për bavarezët fakti që ata vijnë në këtë ndeshje pa mungesa. Gjatë konferencës për shtyp, holandezi deklaroi: “Për fat të mirë nuk kemi dëmtime dhe skuadra është në formë. Fiorentina? Ndoqa ndeshjen e tyre kundër Romës, luajtën mirë, por nuk arritën të shënonin. Ata po përjetojnë të njëjtën situatë si Bajerni në fillim të sezonit: jam i bindur se edhe italianëve mund t’u mjaftojë një ndeshje e mirë për të ndryshuar ecurinë. ‘Vjollcët’ janë një kundërshtar i vështirë, mbi të gjitha në Champions. Shpresoj që të fitojmë me rezultatin 1-0. Jam i informuar se kundërshtarëve tanë u mungojnë lojtarë të rëndësishëm, si Adrian Mutu, por ndeshja fitohet nga skuadra dhe jo nga individët. Edhe Bajerni pa Riberinë dhe Roben ka arritur të fitojë shumë takime. Na presin dy ndeshje mjaft të vështira dhe çdo gabim mund të na kushtojë shtrenjtë. Megjithatë, do të japim maksimumin që të kualifikohemi në çerekfinale”. Gjermanët paraqiten në këtë ndeshje pas 12 fitoreve radhazi në të gjitha aktivitetet dhe Van Gal e ka të qartë se kundërshtari më i fortë i të tijve është euforia. Kjo është arsyeja përse trajneri i ka kërkuar skuadrës bavareze që të qëndrojë me këmbë në tokë përpara duelit në “Alianz Arena”. “Nuk do të luajmë në mbrojtje, por nuk mund t’ia lejojmë luksin vetes që të gabojmë si në ndeshjet e fundit. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në mbrojtje, pasi së fundmi kemi pësuar shumë gola. Tashmë të mendojmë vetëm të kalojmë turin dhe do të synojmë të shkojmë deri në fund, megjithëse ka mjaft ndeshje për të luajtur dhe të gjithë kundërshtarët janë të fortë”, theksoi drejtuesi i stolit të Bajernit.

Skuadrës i është bashkuar edhe Miroslav Klose, që gjithsesi do ta nisë ndeshjen vetëm nga stoli. Van Gal pritet të hedhë në fushë të njëjtën skuadër që në fundjavë mposhti 3-1 Borusian e Dortmundit: skema 4-2-3-1 me Bat në portë, Lahm, Van Bujten, Demikelis dhe Badshtuber në mbrojtje, Van Bomel e Shvajnshtajger përpara repartit difensiv, ndërsa Riberi, Roben dhe Myler do të mbështesin sulmuesin Mario Gomez. Holandezi Arjen Roben nuk përmbahet dhe deklaron se “rezultati ideal do të ishte fitorja 6-0, por sipas gjasave kjo nuk do të ndodhë”. Pikërisht besimi i tepruar i lojtarëve ka sjellë edhe ndërhyrjen e presidentit Karl-Hainc Rumenige, i cili ka kërkuar që Fiorentina të mos nënvlerësohet. “Mund të kualifikohemi në çerekfinale, por kjo do të ndodhë vetëm nëse nuk e nënvlerësojmë Fiorentinën dhe nuk gënjehemi nga klasifikimi i tyre në kampionat”, tha Rumenige. “Nëse mendojmë se thjesht do të shëtisim në këto ndeshje, atëherë do ta pësojmë. Marrëdhënia me Van Gal? Nuk kemi pasur asnjëherë probleme, por e vërteta është se në skuadrat e mëdha duhen menjëherë rezultatet, në të kundërt nisin problemet. Nuk duhet të harrojmë një fakt mjaft të rëndësishëm: Bajerni i tanishëm jo vetëm që fiton, por dhuron edhe spektakël në fushën e lojës”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›