E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrin në dëborë, duke riparuar defektet e linjës elektrike

KORçë/ Elektricisti rrezikoi jetën, duke punuar në zonën e Moglicës. Shokët e mbajtën katër orë në krahë

Një elektricist ka mbetur i ngrirë në mes të dëborës, duke rrezikuar seriozisht jetën, ndërsa kishte shkuar bashkë me një ekip për riparimin e defekteve në linja. Ngjarja ka ndodhur në zonën e thellë të Moglicës, ku për shkak të defekteve të shumta në linjat e tensionit të lartë, fshatrat e kësaj zone nuk kanë pasur furnizim me energji elektrike, duke mbetur në errësirë të plotë për të paktën 24 orë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se pasojat e motit të keq dhe trashësia e madhe e dëborës në këtë komunë i kanë rrezikuar jetën 30-vjetarit Leonard Xhemollari nga fshati Nikollarë. Ky i fundit ishte njoftuar nga kolegët për defektet e shumta në linjë në zonën e Moglicës dhe bashkë me një ekip pune është nisur në mes të dëborës për të kryer riparimet në shtylla. Tri orë pas sinjalizimit për defektin, grupi i specialistëve është nisur në mes të motit të keq dhe dëborës në zonën e thellë malore për të kryer inspektimin dhe riparimin e dëmtimeve. Pasi kanë ecur në mes të dëborës për disa kilometra, katër elektricistët që kanë kryer një pjesë të riparimeve, nuk e kanë ndërprerë punën, por kanë vazhduar të inspektojnë shtyllat e dëmtuara. Sipas dëshmive të shokëve të tij, 30-vjeçari nuk ka mundur të ecë më nga i ftohti dhe ka mbetur në mes të rrugës. Me këmbë të ngrira nga dëbora, Leonard Xhemollari nuk ka mundur të vazhdojë më tej rrugën, ndërsa kolegët e tij e kanë pasur të pamundur të kërkojnë ndihmë. Kanë qenë tre elektricistët e tjerë, që e kanë transportuar në krahë shokun e tyre në mes të dëborës deri në hyrje të fshatit, ku dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe transportimin e tij shpejt drejt spitalit. Në kohën kur ka arritur në qendrën e banuar, 30-vjeçari kishte humbur ndjenjat. Por ndonëse gjendja ishte kritike, elektricisti ka mundur të mbërrijë në urgjencë vetëm pas katër orësh. Rruga e bllokuar nga dëbora dhe terreni i vështirë e kanë vështirësuar dhe vonuar transportimin e tij drejt spitalit. Sapo ka mbërritur në urgjencë, bluzat e bardha kanë nisur trajtimin intensiv dhe e kanë shtruar për trajtim në repartin e kirurgjisë. Mjekët thonë se 30-vjeçari ka dalë nga gjendja kritike dhe po trajtohet me terapi intensive. Ai ka mbërritur i ngrirë dhe sipas mjekëve, këmbët i ka pasur të dëmtuara si pasojë e të ftohtit. Ndërkohë bluzat e bardha kanë sqaruar se 30-vjeçari do të mbahet në spital deri në përmirësimin e plotë të shëndetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›