E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket vajza, merret peng i dashuri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Kuçovës, ku si pasojë e një konflikti për një vajzë të larguar nga banesa janë marrë dhe mbajtur peng për disa orë një 54-vjeçar dhe djali i tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, por ajo është denoncuar në polici vetëm disa orë më pas. Kristaq e Arens Jorgji, banorë të lagjes "1 Maji" mësohet të jenë marrë peng nën kërcënimin për jetën nga Xhevit Nuhu, nipi i tij, Floriani, dhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Ata kanë përdorur një mjet tip furgon për realizimin e pengmarrjes, duke mbajtur të izoluar për disa orë pengjet. At e bir janë marrë njëri pas tjetrit në furgon nën kërcënimin e një thike dhe të personave që ndodheshin në mjet ku dhe janë mbajtur deri në momentin e arrestimit të pengmarrësve për më se pesë orë.

Informacioni për pengmarjen ka mbërritur në Komisariatin e Policisë Kuçovë vetëm dy orë pas rrëmbimit, pasi familjarët janë vënë në alarm vetëm pasi Kristaq e Arens Jorgji nuk janë kthyer në banesë dhe nuk përgjigjeshin në telefon. Menjëherë pas mbërritjes së informacionit, në polici është organizuar puna për zbardhjen e ngjarjes. Kështu, nga informacionet e para, policia mësoi se i pari që ka rënë pre e pengmarjes ka qenë 54-vjeçari Kristaq Jorgji. Ai mësohet se mbrëmjen e djeshme ka qenë duke shkuar në drejtim të banesës dhe është ndalur gjatë rrugës nga një furgon me drejtues Xhevit Nuhun, i cili i ka kërkuar të shkojë me të për të takuar djalin e tij. Nën kërcënimin për jetën e djalit, 54-vjeçari mësohet të ketë hipur në furgon dhe është larguar në drejtim të një tjetër lagjeje, ku ndodhej djali 20-vjeçar. Këtij të fundit i është kërkuar menjëherë hipja në furgon ku qëndronin katër persona, të cilët e kanë kërcënuar me një thikë. Djalit mësohet t‘i jetë kërkuar të japë shpjegime rreth largimit nga shtëpia të ish të dashurës së tij.

Xhevit Nuhu, drejtuesi i mjetit tip furgon mësohet të ketë akuzuar 20-vjeçarin se kishte lidhje me largimin e vajzës së tij nga shtëpia ditën e djeshme. Ilira Nuhu, 18 vjeçe, sipas të atit mësohet se ishte larguar nga banesa dhe askush nuk dinte gjë për të. Familja Nuhu kishte bërë fajtor për largimin e saj nga banesa 20-vjeçarin Jorgji. Pak kohë më parë, vajza ka pasur një lidhje dashurie me 20-vjeçarin, për të cilën ishte në dijeni edhe familja. Të bindur se djali kishte lidhje me largimin e vajzës nga shtëpia, Xheviti së bashku me nipin e tij, Florianin, dhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, kanë mbajtur peng në furgon për më se pesë orë Kristaq e Arens Jorgjin.

Pasi i kanë hipur në furgon, ata i kanë larguar nga qyteti duke iu drejtuar fshatit Partizani, pranë lumit Devoll, ku edhe i kanë kërcënuar me jetën nëse nuk jepnin informacion për vajzën e larguar nga banesa atë mesditë. Ndaj tyre mësohet të jetë ushtruar edhe dhunë fizike. Ndërsa pengmarësit kërkonim me çdo kusht një lajm për vajzën, 20-vjeçari ka arritur të dërgojë një mesazh nga celulari në drejtim të të afërmve të tij, duke kërkuar ndihmë dhe treguar vendndodhjen. Pas marrjes së këtij mesazhi, të afërm të pengjeve janë nisur në drejtim të vendit të treguar dhe më pas kanë kërkuar ndihmën e policisë. Sapo kanë mësuar se djali kishte arritur të dërgojë mesazhin, pengmarrësit kanë ndërruar destinacion, duke u larguar drejt një fshati malor. Më pas i riu mësohet të jetë lidhur duke mos pasur më asnjë kontakt.

Policia e Kuçovës në bashkëpunim me atë të Beratit ka organizuar punën me ngritjen e postblloqeve dhe kontrolleve për identifikimin e mjetit dhe vendndodhjen e tij. Vetëm pas katër orësh, policia ka arritur të lokalizojë mjetin në fshatin Mjeshovë të rrethit të Beratit. Pas vendosjes së kontakteve nëpërmjet celularëve me pengmarësit, u është kërkuar atyre dorëzimi. Rreth orës 24:00, policia arriti të arrestojë dy pengmarësit, të lirojë pengjet dhe të shpallë në kërkim dy personat e tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Hetimet

Asnjë gjurmë nga vajza

Policia tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që të arrestuarit do të akuzohet për "heqjen e lirisë së tjetrit". Në lidhje me pretendimin e familjes Nuhu për largimin e vajzës nga banesa, mësohet se ende nuk ka asnjë denoncim në polici. Nga pohimet e të afërmve mësohet se mesditën e djeshme vajza është larguar nga banesa në drejtim të paditur. Po këto pohime pohojnë se ka nisur puna për gjetjen e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›