E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, fillojnë përgatitjet për pritjen e emigrantëve

Nis lëvizja e emigrantëve nga pikat kufitare me shtetin grek. Dita e shtunë ka shënuar edhe shtimin e lëvizjeve ndërkufitare një javë para festës së Pashkës Ortodokse. Sipas të dhënave nga ana e pikës kufitare të Kapshticës, të paktën 1670 persona kanë hyrë në territorin shqiptar në 24 orë, por sipas autoriteteve doganore nuk mund të flitet për fluks të madh, edhe pse ka një shtim të numrit të të ardhurve nga shteti fqinj krahasuar me ditët e tjera. Shifrat që konfirmohen zyrtarisht nga ana e Drejtorisë së Kufirit u referohen hyrjeve të shtetasve shqiptarë të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa në ikje janë regjistruar të paktën 802 shtetas shqiptarë. Sipas drejtorit të kufirit, Eduard Caka, kanë nisur edhe përgatitjet për të përballuar situatën që mund të krijohet në kufi nga dyndja e emigrantëve që do të vijnë në vend për festën e Pashkëve. Caka ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që në ditët me lëvizje të shumta numri i sporteleve të shkojë deri në shtatë. Ndërkohë, është kërkuar edhe nga ana e palës greke të bëjë shtimin e numrit të sporteleve që do të bëjnë trajtimin dhe përpunimin e të dhënave. "Po merren masa për të qenë në gatishmëri për çdolloj situate që mund të krijohet në kufi nga ardhja e emigrantëve për festat. Në këtë pikë kufitare kanë nisur tashmë lëvizjet për festën e Pashkëve, pas lëshimit të qarkores nga ana e palës greke që lejon kalimin e emigrantëve me leje qëndrimi, por nuk mund të flitet ende për fluks. Ka një shtim të ndjeshëm të lëvizjeve në kufi kryesisht në hyrje, ku janë shtuar edhe shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në sportelet tona. Kemi hartuar edhe planin e masave që do të thotë se do të shtohen shërbimet, do të ketë personel dhe efektiva shtesë dhe do të rritet edhe numri i sporteleve me qëllim që të kryhet një kalim i shpejtë i të gjithë shtetasve të interesuar për të hyrë në territorin shqiptar nga kjo pikë kufitare", tha Eduart Caka. Sipas drejtorit të kufirit, hyrje-daljet në këtë pikë kufitare kanë qenë normale gjatë ditës së premte dhe të shtunë. Eduard Caka ka deklaruar se janë bërë disa takime me palën greke, e cila nga ana e saj ka përgatitur planin e masave dhe është marrë edhe premtimi se nuk do të ketë probleme në lidhje me numrin e sporteleve. Sipas të dhënave nga ana e palës greke, është konfirmuar se me rastin e Pashkëve pritet të vijnë në vend të paktën 70 mijë emigrantë. Ndonëse situata paraqitet normale për momentin, është planifikuar që të ketë shtim të sporteleve në kufi, por edhe të efektivave që do të mundësojnë shmangien e radhëve dhe të vonesave duke mbajtur nën kontroll mjetet që të mos krijojnë konfuzion dhe radhë. Ndërsa një numër i madh policësh do të vihen në dispozicion të fluksit dhe mjeteve që do të depërtojnë nga kjo pikë kufitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›