E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema abuzive, pedagogët kryejnë kurse private para provimeve të vjeshtës



Emanuela Sako

Pedagogët e fakulteteve prej disa ditësh po zbatojnë një skemë abuzive duke kryer kurse private para provimeve të vjeshtës. Për shkak se një numër mjaft i lartë studentësh janë mbetës në disa provime duket se për ta mënyra më e mirë për të siguruar marrjen e tyre është frekuentimi i kurseve private para provimeve shtetërore me pedagogët e lëndës apo me pedagogë të fakulteteve të tjera. Ky është një ritual i përvitshëm i pedagogëve e studentëve dhe një mundësi mjaft fitimprurëse për pedagogët, të cilët ushtrojnë aktivitetin e mësimdhënies pa licencë. Studentët paguajnë rreth 1 mijë lekë për çdo orë mësimi, në bazë të një regjistri që përkrah emrit të studentit shënohet paraqitja e studentit nëpërmjet shenjës së shumës së paguar. Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, shprehet për gazetën “Albania” se ky aktivitet është i paligjshëm dhe se ndaj këtyre personave duhen marrë masa ndëshkimore.
Abuzimi
Sipas ligjit, asnjë pedagog nuk mund të ushtrojë profesionin e mësimdhënies jashtë auditorëve të fakulteteve. Gjithçka që bëhet nga ana e pedagogëve është e paligjshme dhe abuzim me punën e kryer. Rrokaj theksoi se mësimdhënia mund të bëhet vetëm me licencën përkatëse, ndërsa veprimet e tjera janë në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë. Ky fenomen është i përhapur edhe në arsimin e mesëm, përveç arsimit të lartë. Mësuesit i adresojnë nxënësit te kolegët e tyre, “për të fshehur gjurmët” e veprimeve kundër ligjit. Ndërsa kurset më fitimprurëse janë ato të studentëve të universiteteve, ku orët e mësimit kanë një kosto më të lartë dhe kërkesa e studentëve për marrjen e provimeve është e domosdoshme.
Auditorët
Kurset zhvillohen në ambiente të marra me qira nga pedagogët që japin mësim me turne dhe orare të caktuara për çdo grup, që është ndarë sipas një numri të caktuar. Auditorët ndodhen në ambiente pallatesh, në katet e sipërme të tyre. Janë të padukshme për syrin e lirë të qytetarëve të zakonshme, ndërsa studentët i gjejnë me rekomandimet e njëri-tjetrit. Ato janë të shpërndara në disa zona të kryeqytetit, ku mund të përmendin ambientet pranë nëntëkatësheve, apo pranë rrugës “Myslym Shyri” për nxënësit e shkollave të mesme. Pedagogët më të kërkuar janë ata që kanë lëndë të vështira dhe të pakapshme gjatë orëve të mësimit nga të gjithë studentët. Të tilla janë matematika, fizika, lëndë të inxhinierive, të Politeknikut, Ekonomikut etj. Këto degë janë më të paguarat dhe më të kërkuarat, madje kanë dhe një numër tepër të lartë të studentëve që i frekuentojnë. Studentët e kanë të vështirë të identifikohen për shkak të problemeve që mund t’u shkaktohen. Një student, i cili nuk pranon të identifikohet, shprehet se zgjedhja e tij është bërë për arsye se ka mjaft provime të ngelura dhe e vetmja mënyrë është që të kryejë kurse private me pedagogë. Studenti tregon se në listat e notave të provimeve gjatë dy sezoneve, lëndët që u përkasin shkencave ekzakte kanë numrin më të lartë të studentëve mbetës. Kjo është një shtysë edhe më e madhe për të siguruar marrjen e provimeve dhe shmangien e humbjes së vitit shkollor. Kërkesat e studentëve për kurse janë tepër të larta në këtë periudhë, pasi vetëm pak javë i ndajnë nga ridhënia e provimeve të mbetura. Një pjesë e fakulteteve kanë shpallur datat paraprake për dhënien e provimeve sipas lëndëve përkatëse.

Fakultetet shpallin datat e provimeve të vjeshtës

Fakultetet kanë shpallur datat e provimeve të vjeshtës më parë se vitet e tjera. Kjo është bërë për të shmangur konfuzionin e marrjes së informacioneve të sakta nga ana e studentëve. Njëkohësisht, fakultetet kanë mundur të shmangin kërkesat e studentëve për të mundësuar vjeshtën e vogël, siç ndodhi një vit më parë. Studentët protestuan dhe kërkuan vjeshtën e vogël për të ridhënë edhe njëherë provimet për shkak se numri i studentëve mbetës nga provimet e vjeshtës së zakonshme ishte pothuajse i njëjtë. Kështu, për t’iu dhënë një mundësi të dytë ata kaluan në protesta, ku fakultetet pranuan nëpërmjet një kompromisi dhe diskutimi me senatet e fakulteteve. Fakulteti Ekonomik në Tiranë tashmë ka shpallur datat e provimeve për sezonin e vjeshtës, për studentët e ditës, si dhe për ata me kohë të pjesshme. Për t’u paraprirë dhe shmangur zhvillimet që ndodhën një vit më parë, drejtuesit e Fakultetit Ekonomik kanë publikuar datat e vjeshtës për të gjithë studentët që kanë provime të mbartura ose të pamarra gjatë sezonit të verës, në mënyrë që secili prej tyre të përgatitet për të hyrë në provim në datat e vendosura.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›