Bastiset dyqani i celularëve në shëtitoren e Sarandës
Pas disa kohësh prehje, grabitjet në qytetin bregdetar të Sarandës janë kthyer, duke nisur pikërisht nga buza e detit. Ende pa zbardhur dita e djeshme, mendohet rreth orës 02:30, njësia e kompanisë “Vodafone”, që gjendet mbi shëtitore është vënë në sulmin dhe në kontrollin e grabitësve. Burimet policore kanë përcaktuar se hyrja brenda në lokal është mundësuar pasi është bërë thyerja e xhamit të portës hyrëse me mjete të forta. Thyerja e derës prej xhami, thanë ekspertët, është bërë me mjete speciale e të imta, pa shkaktuar zhurmë e duke e realizuar shkërmoqjen e masës, gjë që ka lehtësuar hyrjen në dyqan pa u ndier nga shërbimet e ndryshme të policisë private që funksionojnë në lokale të tjera në afërsi të njësisë “Vodafone”.
Vjedhësit kanë pasur në objektin e tyre markat e shtrenjta të aparateve celularë, që kanë qenë të ekspozuar në vitrinë dhe kjo u ka mjaftuar pa u vënë në kërkim të kasafortës dhe të kartave rimbushëse, që kanë qenë në sasi të mëdha, por kanë mbetur të paprekura. Me të marrë njoftimin, policia ka shpurë në vendngjarje grupin e gatshëm dhe ka nisur hetimin për të përcaktuar masën e dëmit dhe për të mbërritur në identifikimin e autorëve. Bëhet e ditur se nxitëse për vjedhjen e realizuar duke gdhirë dita e martë është bërë informacioni që ka qarkulluar se në këtë njësi kishin dalë jashtë funksiononit kamerat përgjuese. Duket se grabitësve u ka dhënë zemër e siguri ky lajm. Sipas burimeve, mendohet që autorë të kësaj vjedhjeje të kenë qenë më shumë se dy persona. Dje janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Rendit në Sarandë më shumë se 7 persona, por nuk konfirmohet ndonjë e dhënë për identitetin e autorëve të vjedhjes.
#