E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca, test politik për anëtarët e Kushtetueses

Mbledhja Deputetët e Partisë Demokratike pyesin të dekretuarit për bojkotin e opozitës

Mazhoranca merr në “provim politik” tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të emëruar pak ditë më parë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në seancën dëgjimore të zhvilluar dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputetët e Partisë Demokratike i kanë “gozhduar” anëtarët e sapoemëruar të institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit me pyetje që preknin thelbin e konfliktit politik të mazhorancës aktuale me politikën, por edhe të konfliktit aktual të mazhorancës me përbërjen e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese.

Si fillim, Altina Xhoxhaj, Bashkim Dede dhe Vangjel Kosta kanë bërë një prezantim të CV-së së tyre profesionale. Më pas serinë e pyetjeve me “spec” e ka nisur ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Konkretisht parlamentari i PD-së ka kërkuar shpjegim nga anëtarët për procesin e përzgjedhjes nga Presidenti dhe Parlamenti, të drejtën e gjykatës në lidhje me oportunitetin dhe interpretimin e ligjeve, por ajo që ka spikatur më shumë nga pyetjet ka qenë ajo se a mundet një grup deputetësh të ankimojë një ligj në Gjykatën Kushtetuese, edhe nëse bojkoton punimet e Kuvendit. Një pyetje e cila aktualizohet me kërkesën e deputetëve të PS-së në lidhje me marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Anëtarët e emëruar nga Presidenti janë përgjigjur duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve, por janë stepur paksa si pasojë e furisë së pyetjeve të dukshme tendencioze. Këto pyetje, përveç çështjes së bojkotit, kanë kapur edhe problemin e numrit të madh të ankimimeve të Kushtetuese, por edhe të çështjeve që ka shqyrtuar ky institucion i pavarur. Por që pikërisht edhe për këtë gjë ka marrë kritika të ashpra nga mazhoranca. Ish-ministri Alibeaj ka shkuar edhe më tej kur i ka pyetur anëtarët e Kushtetueses se kjo gjykatë hyn apo jo në sistemin gjyqësor. Një ekspert theksoi se kjo pyetje gjendet rëndom në testet e Fakultetit Juridik apo Shkollës së Magjistraturës dhe nuk ishte shumë adekuate për të pyetur tre juristë me përvojë të gjatë pune. Por nuk ka shkuar me kaq testimi i mazhorancës. Deputetja Mesila Doda, por edhe deputeti Gent Strazimiri, kanë pyetur të emëruarit edhe për çështjen e lustracionit, duke kërkuar se a mund të punojnë në organet e drejtësisë ata gjyqtarë që kanë gjykuar procese politike. Ndërkohë deputeti Fatos Hoxha, duke iu drejtuar personalisht zonjës Altina Xhoxhaj e ka pyetur se si ka mundësi sesi emri i saj është listuar dy herë në kandidatët për institucione të larta si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë. Përgjigjja ka qenë e thjeshtë: Profesionaliteti dhe integriteti”. Në fakt, Altina Xhoxhaj dhe Vangjel Kosta kanë qenë në listën e Presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë në vitin 2008, por u rrëzuan nga Kuvendi. Kurse Bashkim Dede është propozuar si kandidat për kreun e ILDKP-së, por Kuvendi ka miratuar me shumicë votash kryetarin aktual Adriatik Llala. Sipas rregullores së Kuvendit, kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese duhet të votohen në seancën më të afërt, por ende nuk është vendosur nëse kjo procedurë do të kalojë në seancën e së nesërmes.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›