PS pret ndërhyrjen e ndërkombëtarëve
Aksioni politik i opozitës duket se ka krijuar perspektivën e zgjidhjes së ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar. Pas rreth 2 muaj debatesh dhe 18 ditësh grevë urie, duket se alibia e Kryeministrit Sali Berisha, e ndërtuar mbi rezolutën e fundit të KiE-së, po “destabilizohet” nga tendosja e situatës dhe stabilizimi i një krize e cila nuk po gjen zgjidhje. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se edhe të hënën në mbrëmje, europarlamentarë që bëjnë pjesë në përfaqësitë që kanë të bëjnë me Ballkanin dhe Shqipërinë, kanë zhvilluar në Bruksel një takim me komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, me të cilin është diskutuar rreth situatës në Tiranë. Në fakt ende nuk dihen detajet e takimit, por duhet nënvizuar se socialistët janë në shpresën e një ndërmjetësimi ndërkombëtar, që sipas gjasave duhet të nxisë mbërritjen në Tiranë të një ekipi të posaçëm. Sinjale gati zyrtare rreth këtij opsioni që po aktualizohet nga dinamika e krizës politike shqiptare janë dhënë edhe nga numri dy i europarlamentarëve socialistë, Hans Swoboda, i cili ka pranuar si mundësi zgjidhjeje një delegacion të ri nga Brukseli. Ndërkohë burimet pranë selisë rozë kanë sqaruar se si faktorë të interesuar në këtë nismë përveç socialistëve europianë janë edhe liberal-demokratët e Parlamentit Europian. Nëse pranojmë se në përpjekjen e fundit të vetën, PE nuk arriti të miratojë një rezolutë për Shqipërinë, mund të mendohet se kjo përpjekje e të majtëve në Bruksel ka brenda vetes problemin e raporteve të vështira me partitë popullore, që në mënyrë konstante kanë dhënë mbështetje për qeverinë e Sali Berishës. Rrjedhimisht “suksesi” i opozitës shqiptare tanimë është ndërkombëtarizimi i idesë se kriza vijon dhe si e tillë ajo mund të përshkallëzohet. Mahisja e saj si problem politik priret të diktojë udhëtimin drejt Tiranës të një ekipi, i cili sikurse bëhet e ditur, do të takojë edhe përfaqësues të grevës së urisë. Vendimi i fundit i grupit parlamentar socialist për të vijuar protestat në rrethe dhe grevën e urisë në kryeqytet janë pjesë plotësuese të një projekti që si shpresë ka ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Në mungesë të argumenteve bindës për marrjen e mbështetjes, opozita socialiste dhe aleatët e saj po mbajnë në këmbë një betejë të ndërtuar mbi parime, zgjatja e së cilës prodhon krizën politike që duhet medoemos zgjidhur. Në njëfarë mënyre, “paaftësia” e klasës shqiptare për të arritur kompromisin është pjesë e një llogarie politike që synon përfshirjen e Brukselit si një arbitër i cili do të amortizonte raportin e vështirë të forcave që në Shqipëri shërben edhe si pozicioni i vetëm i negocimit.
#