Bastiset internet-kafeja, 5 adoleshentë nën hetim
TIRANË- Vjedhin një internet-kafe, ndiqen penalisht nga policia pesë adoleshentë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur pesë persona, mes të cilëve tre vëllezër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhjen e një qendre internet-kafeje në Tiranë. Pronari i dyqanit, menjëherë sapo ka konstatuar vjedhjen lajmëroi policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Specialistët e luftës kundër vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës pranë policisë së Tiranës nisën hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se autorët kishin qenë edhe ma parë kontingjent policie dhe nisur nga gjurmët e administruara në qendrën e internetit, të krahasuara me ato që disponon policia u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj vjedhjeje. Mësohet se qendra e internetit është vjedhur nga pesë persona nën moshës 23-vjeç, mes tyre tre vëllezër. Këta të fundit të moshës 14, 16 e 21-vjeçarë kishin mundur të çonin në banesën e tyre materialet e vjedhura në qendrën e internetit. Policia u sekuestroi atyre rreth 40 ekrane kompjuterësh në cilësinë e provës materiale. Të pestë autorët do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre të mitur. Ndërkohë që një tjetër vjedhje ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet. “Shënjestër” e hajdutëve ka qenë një argjendari pranë tregut “Çam” në Tiranë, ku është vjedhur një sasi parash dhe materiale të çmueshme. Burime nga policia thanë se ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve ndërsa hetimet po vazhdojnë.