E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i OKB-së: EULEX do të hapë zyra në Beograd

Përveç shtabit kryesor në Prishtinë dhe zyrave rajonale dhe lokale në disa vende të Kosovës, misioni i Bashkimit Europian në fushën e sundimit të ligjit do të hapë edhe një zyrë në Beograd. Në numrin e sotëm të Gazetës Express, e cila citon zyrtarë europianë, thuhet se do të jetë një zyrë që do të merret me çështje teknike, jo politike. “Vetëm dy persona do të punojnë në të”.

Express njofton sot se nuk përjashtohet mundësia që EULEX, sipas nevojës, të hapë zyra të karakterit teknik edhe në vende tjera të rajonit të Ballkanit. Hapja e zyrave ndërlidhëse në rajon lejohet edhe me Aksionin e Përbashkët të aprovuar nga Këshilli i BE’së, më 4 shkurt të këtij viti.

Javën e kaluar EULEX ka marrë dritën e gjelbër nga Këshilli i Sigurimit për vendosje në tërë Kosovën. Ky mision do të operojë nën “ombrellën e përgjithshme të OKB’së”, por në Raportin e Sekretarit Ban Ki-Moon askund nuk thuhet në mënyrë eksplicite se EULEX është mision neutral ndaj statusit të Kosovës.

Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, do t’i raportojë Brukselit, ku edhe ndodhet komanda e vetme për këtë mision, por në periudha të caktuara kohore, do t’i raportojë edhe OKB’së, ngjashëm me KFOR-in. Roli primar i EULEX’it do të jetë këshillimi i strukturave kosovare të sundimit të ligjit, por edhe monitorimi i punës së tyre. EULEX synon të kompletojë stafin dhe të shtrihet në tërë vendin deri në mars të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›