Përgjaken rrugët, vdes një 67-vjeçar, plagoset një i ri
TIRANË- Një i vdekur dhe një i plagosur rëndë është bilanci i dy aksidenteve rrugore që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Tiranë. Aksidenti i parë është regjistruar rreth orës 4:00 duke u gdhirë dita e djeshme në Fushë-Pezë, në periferi të kryeqytetit, kur një 67-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi u përplas nga një automjet. Policia rrugore mbërriti menjëherë pas njoftimit në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Sipas burime policore mësohet se 67-vjeçari Muhamet Karaj po tentonte të kalonte në anën tjerët të rrugës, kur një autoveturë me targa Dr 1243 D, që drejtohej nga Leonard Nasufi nga Durrësi e ka përplasur atë për vdekje. Ka qenë e kotë ndërhyrja për të shpëtuar të moshuarin, pasi goditja i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Policia ndaloi drejtuesin e mjetit, ndërsa po vazhdon hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Ndërkohë që një tjetër aksident rrugor ndodhi mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Burime nga policia thanë se 23-vjeçari Elis Hajdini ka qenë duke udhëtuar me motoçikletën e tij në rrugën e “Durrësit” në kryeqytet, kur është përplasur me një autoveturë. Kalimtarët e rastit transportuan menjëherë të riun në spital nga ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa policia rrugore e cila mbërriti menjëherë në vendin e aksidentit nuk mundi të ndalonte drejtuesin e automjetit, i cili ishte larguar menjëherë duke humbur gjurmët. Burime nga policia thanë se dëshmitarët kanë mundur të mbajnë shënim targën e autoveturës me anë të së cilës u bë e mundur identifikimi i drejtuesit dhe po punohet për kapjen e tij.