Grabitet me armë në kokë një 30-vjeçar
Pronari i një dyqani celularësh është bërë pre e dy grabitësve të armatosur. Policia arreston autorët
TIRANË- Pronari i një servisi celularësh është grabitur nën kërcënimin e armëve dhe përdorimin e dhunës nga dy të rinj. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, në rrugën “4 Dëshmorët” në Tiranë, kur 30-vjeçari me iniciale Gj.M, pronar i një dyqani shitjesh dhe servisi celularësh ka rënë pre e një grabitjeje me armë nga dy persona të panjohur për të. Pasi e kanë dhunuar, dy të rinjtë mundën t’i merrnin një sasi parash prej 260 eurosh tregtarit dhe më pas u larguan për t’u shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se brenda pak orësh u arrit të zbulohen dhe të arrestohen dy autorët e grabitjes, të cilët dyshohet se janë Alban Halimi, 26-vjeç dhe Gentian Durmo, 24-vjeç, të dy banues në Tiranë.
Grabitja
Rreth orës 7:00 të mëngjesit të djeshëm, 30-vjeçari me iniciale Gj. M sapo ka mbërritur në dyqanin e tij, kur është përballur me dy persona të panjohur, të cilët i kanë drejtuar një pistoletë. Ata e kanë sulmuar me armë, me qëllim që t’u jepte paratë që mbante me vete. Fillimisht pronari i dyqanit të shitjeve dhe servisit të celularëve ka bërë rezistencë, duke u thënë personave se nuk kishte para me vete, pasi sapo kishte hapur dyqanin. Por duket se grabitësit nuk janë bindur dhe kanë insistuar për të marrë para nga 30-vjeçari. Ata e kanë goditur atë me shkelma e grushta, derisa Gj.M, për t’i shpëtuar dhunës dhe nga frika e pistoletës që ishte drejtuar tek ai, ka nxjerrë një shumë parash që mbante me vete. Menjëherë sapo morën 260 eurot, autorët u larguan me shpejtësi, duke u shpëtuar prangave të policisë. I alarmuar, 30-vjeçari ka telefonuar policinë në numrin 129 dhe ka denoncuar grabitjen. Menjëherë pranë dyqanit të tij mbërritën forca të shumta policie, të cilat morën në pyetje tregtarin.
Arrestimi
I dëmtuari Gj.M, ka deklaruar para oficerëve të policisë kriminale të dhënat fizike të dy grabitësve me qëllim identifikimin e tyre. Menjëherë pas përshkrimit të dy të dyshuarve, policia është vënë në lëvizje për kapjen e tyre. Burime nga policia thanë se nuk ka qenë i vështirë identifikimi i dy autorëve, pasi ata janë kapur edhe më parë nga policia për vjedhje. Të paktën katër vjedhje dyshohet të kenë kryer më parë Alban Halimi dhe Gentian Durmo, të cilët u arrestuan pak orë pas ngjarjes. Ata i shoqëruan në ambientet e policisë ku dhe u morën në pyetje. Burime nga policia thanë se Halimi dhe Duro akuzohen për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” e kryen në bashkëpunim dhe “armëmbajtjes pa leje”. Të njëjtat burime shtuan se në cilësinë e provës materiale dy të arrestuarve iu sekuestrua një sasi parash të cilët dyshohet se i përkisnin tregtarit. Në deklaratën e tyre, dy të rinjtë e kanë mohuar faktin se kanë kryer vjedhje por kjo gjë nuk është marrë në konsideratë nga policia, e cila deklaroi se ka prova për të çuar ata në qeli.