Dy të rinj me maska përdhunojnë 14-vjeçaren
DURRËS - Një ngjarje e rëndë e ndodhur paraditen e të dielës ka tronditur rëndë opinionin publik të zonës së Shijakut. Një vajzë e vogël e moshës 14-vjeçare është rrëmbyer dhe përdhunuar nga dy adoloshentë, të cilët i kanë dalë përpara në rrugë në fshatin Koxhas dhe e kanë detyruar me dhunë që t’iu nënshtrohet epsheve të shfrenuara të tyre. Ata janë treguar të dhunshëm me vajzën e vogël, e cila nën kërcënimin dhe rrahjet e tyre nuk ka mundur që t’u shpëtojë nga duart dhe për 4 orë rresht ka mbetur pre e rrëmbyesve që kanë realizuar synimin e parapërgatitur, pasi ishin të pajisur dhe me maska për të mos u njohur. Dy adoleshentët agresorë të maskuar janë arrestuar nga policia e qytetit të Shijakut vetëm 1 orë e gjysmë pas denoncimit të bërë në polici nga vajza e dëmtuar dhe e ëma e saj e cila sapo ka mësuar mbi ngjarjen e ndodhur së bijës adoloshente e ka marre me vete atë dhe i është drejtuar komisariatit të policisë së Shijakut për të bërë denoncimin lidhur me përdhunimin e së bijës.
Ngjarja
14-vjeçarja po udhëtonte në rrugën e fshati Koxhas. Ajo po shkonte për tek dyqani për të blerë disa materiale për të cilat kishte marrë porosi, por porosinë s’arriti që ta kryente si normalisht pasi në rrugë i kanë dalë 2 persona të maskuar me maska si në filmat horror që e kanë kërcënuar dhe më pas e kanë detyruar që të shkonte me ta në një vend ku nuk kalonin udhëtarë dhe nuk shikohej kollaj nga rruga ku e kishin marrë. Pasi e kanë fshehur nga sytë e udhëtarëve të rastit prenë e tyre, ata duke ushtruar dhunë e kanë dhunuar për disa orë. Pas më shumë se 4 orësh, kur edhe vonesat e së bijës e kishte shqetësuar familjen e saj, vajza është shfaqur në shtëpi mjaft e terrorizuar nga dhuna e ushtruar dhe me sy të buhavitur nga të qarët. Prindërit e kanë pyetur se përse është vonuar dhe pse ndodhej në kushte depresioni e me rroba të rrënuara e plot baltë. 14-vjeçarja nën lotët e vazhdueshëm ka folur përmes denesave se ndërsa po ecte rrugës së fshatit i kishin dalë përpara dy vetë të maskuar dhe duke e kërcënuar e kishin marrë zvarrë dhe më pas e kishin përdhunuar. Ajo kishte bërtitur dhe kishte kërkuar ndihmë, por nuk ka pasur njeri në afërsi që ta ndihmonte. E ëma, pasi ka marrë këtë informacion të dhimbshëm mbi fatin e së bijës, e ka marrë me vete dhe i është drejtuar komisariatit të policisë së Shijakut.
Hetimi
Inspektorët e krimeve, pasi kanë marrë denoncimin nga vajza e mitur në prani të së ëmës, kanë kërkuar edhe më shumë informacion rreth dy personave të maskuar, por 14-vjeçarja ka deklaruar se nuk i njihte rrëmbyesit e saj. Madje ajo ka thënë se ato zëra nuk i kishte dëgjuar në moshatarët e saj në fshat. Punonjësit e policisë e kanë pyetur më pas se çfarë rrobash kishin veshur, duke filluar që nga këpucët e deri tek trikot e pantallonat, ashtu si i mbante në mendje ajo. Pasi kanë marrë një informacion të shpejtë, janë urdhëruar të gjithë inspektorët e terrenit që të kërkojnë në rrugë operative dhe të seleksionojnë personat e dyshuar. Kishte kaluar rreth një orë e gjysmë kur policia ka prangosur dy të dyshuarit e ngjarjes së dhimbshme, të cilët ishin A.D. 15 vjeç dhe tjetri 18-vjeçari Ervis Smoqi. Ata nuk kanë pranuar fillimisht dhe kanë bërë të paditurin, por policia i ka vënë nën një hetim intensiv nën drejtimin e punonjësve të prokurorisë së Durrësit dhe i kanë kaluar në kontroll të rregullt shkencor, duke verifikuar gjurmët e lëna gjatë aktit të përdhunimit tek e dëmtuara dhe tek lëngjet spermike që kishin vetë të arrestuarit si të dyshuarit e këtij përdhunimi. Policia ndërkohë ka gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 2 maskat e përdorura nga përdhunuesit, të cilat janë njohur nga vajza e dëmtuar. Deri në orët e vona të natës ata i janë nënshtruar një hetimi intensiv për të kopsitur tërësisht ngjarjen e ndodhur paraditen e së dielës.