Bastisnin dyqane e banesa, 5 në pranga
Policia e kryeqytetit shkatërroi një grup kriminal të përfshirë në vjedhjet e shtëpive dhe biznesit në kryeqytet
Të dyshuarit u bënë "miq" me hetuesit në Facebook para arrestimit. Gjenden një pjesë e sendeve të vjedhura
TIRANË- Pesë persona, të gjithë pjesëtarë të një grupi që kryenin vjedhjet e banesave dhe lokaleve në kryeqytet u arrestuan nga Policia e Tiranës, pas një operacioni policor të koduar "Mesnata". Një person tjetër u shpall në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në këtë grup vjedhësish. Goditja e grupit, u njoftua dje nga policia e kryeqytetit ndërsa mësohet se operacioni nisi tri netë më parë për të përfunduar mëngjesin e djeshëm. Personat e ndaluar janë mbajtur nën hetim për gati një muaj oficerët e hetimit të krimit në Komisariatin nr.3 dhe akuzohen për vjedhje te bizhuterive dhe sendeve shtëpiake, të pajisjeve të lokaleve dhe bizneseve të ndryshme. Të arrestuarit janë: Ilir Zenko, 44 vjeç, Arjan Fejzullari, 38 vjeç, Ilir Shehi, 32 vjeç, Simon Thanasi, 28 vjeç dhe Valter Vladi, 19 vjeç, të gjithë me banim në Tiranë. Janë arrestuar nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë nr. 3, pas një hetimi 40 ditor ndaj veprimtarisë së tyre, ndërsa anëtari i gjashtë i grupit që realizonte vjedhjet e banesave dhe bizneseve në Tiranë, është shpallur në kërkim. Identiteti i tij nuk është publikuar për arsye të hetimit. Arjan Fejzullahu është arrestuar tek disa të afërm të tij në Elbasan, ndërsa katër pjesëtarët e tjerë të grupit që vidhte sende e shtrenjta në banesa dhe lokale, u arrestuan në Laprakë. Më parë policia kishte identifikuar personat dhe kishte siguruar prova të ndryshme ndaj tyre. Për të zbular vendndodhjen e tyre e për t'i arrestuar, policia është infiltruar në adresat e tyre në rrjetin social Facebook, duke i bërë miq ata.
Arrestimi
Sipas hetimit, banda kishte arritur të vidhte lekë, kompjutera, televizorë, mobilje, paketa në dyqane dhe sende të tjera. Pasi grupi prej gjashtë personash është identifikuar, oficerë të policisë kanë nisur t'i gjurmojnë në internet në profilet e tyre në facebook dhe pas disa bisedash mes tyre, hetuesit që hiqeshin si vjedhës, lanë një takim me ta në në një lokal në Laprakë. Me vete grupi i oficerëve të lartë kishin marrë fotot e të dyshuarve, të cilat i kishin në bazën e të dhënave të tyre dhe janë nisur për tek lokali, ku ishte lënë takimi dhe janë ulur aty. Sapo hynë në lokal, kamerieri, iu afrua atyre duke iu kërkuar porosinë. "Më falni por po presim një shok dhe do porosisim- pohuan grupi i hetuesve punonjësit të shërbimit, që u largua. Krah tyre ishte ulur një person të cilin hetuesit po e vëzhgonin dhe po e krahasonin me foton që kishin me vete. Për fatin e hetuesve, brinjaz tyre ishte ulur pikërisht "miku" që prisnin. Pa e zgjatur shumë, grupi i oficerëve brofi në këmbë duke i vënë dorën mbi sup shokut të Facebook-ut. "Ndal, mos lëviz. Policia, -pohuan burrat ndërsa i vunë prangat, dhe më pas e futën të dyshuarin në furgon. Verifikimi i mëpasëm tregoi se ishte pikërisht njeriu i duhur. Më pas policia bllokoi dy persona të tjerë në Laprakë, në një bodrum, një person u kap në Laknas, ndërsa i pesti u kap në Elbasan, ku mësohet se kishte shkuar për të shitur objektet dhe sendet e vjedhura. Personi i fundit i kërkuar sipas policisë, dyshohej se fshihej në Kodër- Kamëz, por nga kontrollet e policisë ai nuk ështe gjetur në banesë duke u shpallur në kërkim.
Të dyshuarit, përgjegjës për më tepër se 12 ngjarje
Një pjesë e mirë e vjedhjeve, sipas burimeve të policisë, janë kryer në dhjetëditëshin e fundit të vitit të kaluar, ndërsa një pjesë në fillim të këtij viti deri pak ditë më parë. Vjedhjet ishin pa gjurmë dhe kjo vështirësoi punën e policisë deri sa një informator iu zbardhi enigmën hetuesve të komisariatit të policisë nr.3, duke identifikuar edhe autorët e dyshuar. Pas arrestimit, policia e kryeqytetit ka sekuestruar sende që përdoreshin nga grupi për të kryer vjedhjet si kaçavidë, doreza dhe kapuçë. Sipas burimeve të policisë, të arrestuarit dyshohen të jenë përgjegjës të së paku dhjetë vjedhjeve të realizuara për tre javë, por grupi i vjedhjeve dyshohet se ka kryer edhe vjedhjen e disa automjeteve gjatë fundit të vitit 2009.
Burimet pranë grupit hetimor të ngritur për të hetuar aktivitetin e pesë të arrestuarve pohuan se këto persona, sendet e vjedhura i dërgonin në Elbasan në një pikë shumice për t'i shitur, ndërkohë që disa prej sendeve të vjedhura janë sekuestruar në momentet që po shiteshin. Dhjetë prej vjedhjeve i kanë realizuar brenda këtij muaj në disa zona të Tiranës ku kanë arritur të marrin sende me vlerë në banesa dhe në lokale. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë Tiranë, pesë të arrestuarit dyshohet se më dy janar të këtij viti kanë vjedhur me thyerje një dyqan në Rrugën e Durrësit, ndërkohë që më datë pesë janar dhe tetë janar kanë vjedhur në Laprakë me thyerje dy lokale të ndryshme. Vjedhja e radhës është kryer më datë dhjetë janar në rrugën "Gjergj Legisi", pranë shkollës "Aleks Buda", ku në një dyqan kanë vjedhur një sasi të madhe paketash dhe artikujsh të tjerë, ndërsa më 12 janar dyshohet se kanë vjedhur dhe dy lokale të tjera në Kodër Kamëz. Vjedhjet e fundit personat e arrestuar dyshohet se i kanë kryer më datë 20 dhe 21 janar në rrugën "Lord Bajron" dhe "Don Bosko".