Lajcak, Bashës: Një argument i fortë që vizat do të liberalizohen
Fluksi i jashtëzakonshëm i atyre që po marrin pasaporta biometrike dhe cilësia e siguria e lartë e këtyre të fundit janë garancia se shqiptarët do të fitojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë shumë shpejt. Ministri i Jashtëm sllovak ka vlerësuar procesin e pajisjes me pasaporta biometrike në vendin tonë dhe e ka cilësuar atë një argument shumë të fortë për marrjen e vendimit nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, së bashku me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë në Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike ku vëzhguan nga afër ecurinë e këtij procesi.
“Duke gjykuar nga ajo që pashë në këtë qendër, mund të them se procesi është sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe është përfundimisht një argument pozitiv shumë i fortë për marrjen e vendimit të BE-së për udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët shqiptarë”, - tha Lajcak duke shtuar: “Atë që kam parë këtu, do të kem kënaqësinë ta paraqes tek partnerët dhe kolegët e mi të vendeve anëtare të BE-së”.
Ministri Basha deklaroi se procesi i aplikimit nga qytetarët shqiptarë për pasaporta biometrike po shkon shumë mirë dhe me ritme të larta. “Sot ne kemi arritur qartësisht dhe bindshëm ritmet më të larta në gjithë kontinentin evropian për sa u përket aplikimeve për frymë për pasaporta biometrike”, - u shpreh ai.
Numri një i Ministrisë së Brendshme sqaroi edhe arsyen e vonesave dhe tejkalimit të afatit dyjavor, të pajisjes me pasaporta biometrike gjatë periudhës së fundvitit 2009 dhe në fillim të 2010-s. Sipas tij, kjo ka ndodhur si “rrjedhojë e një fluksi të jashtëzakonshëm aplikimesh brenda një kohe të shkurtër, kur ka pasur ditë që kanë shënuar edhe 11 400 aplikime për pasaporta biometrike”. “Megjithatë, ne kemi marrë të gjitha masat në bashkëpunim me koncesionarin “Aleat” për të përshpejtuar dhe për të rritur kapacitetet prodhuese, në mënyrë që koha e pritjes edhe për këtë periudhë të pikut të aplikimeve të jetë sa më e shkurtër”, - vazhdoi ai.
Sipas informacioneve zyrtare, që nga fillimi i procesit e deri më tani kanë aplikuar për pasaportë biometrike afro 450 mijë qytetarë shqiptarë. Ndërkohë që procesi vazhdon me flukse të kënaqshme nga ana e qytetarëve shqiptarë. Pajisja me pasaporta biometrike e shtetasve shqiptarë është një ndër faktorët më të rëndësishëm që do të ndihmojë në procesin e liberalizmit të vizave për Shqipërinë, i cili pritet të ndodhë, sipas qeverisë shqiptare, brenda gashtëmujorit të parë të vitit 2010.