I moshuari kapet me hashash në shtëpi
TIRANË- Një i moshuar arrestohet nga strukturat e antidrogës së Policisë së Tiranës dhe djali i tij shpallet në kërkim, pasi i gjendet në shtëpi më shumë se gjysmë kilogram hashash. Hysni Klaiqi, 64 vjeç, me banim në Tiranë, është prangosur gjatë orëve të vona të së premtes me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në shtëpinë e tij që ndodhet në rrugën "Haxhi Hysen Dalliu, oficerët e Seksionit Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës kanë gjetur dhe sekuestruar 636 gramë kanabis sativa e ndarë në qese të vogla për t'u shitur. Pas informacioneve të Policisë, 64- vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe dyshohet se bashkëpunonte me të birin për shitjen e lëndës narkotike, i cili është shpallur në kërkim. Fillimisht i moshuari është arrestuar në flagrancë me një sasi lënde që dyshohet të jetë kanabis sativa, por pas kontrollit në shtëpinë e tij policia ka gjetur më shumë se gjysmë kilogram hashash që ishte bërë gati në disa qese të vogla me qëllim për t'u shitur. Përveç lëndës narkotike, policia ka sekuestruar edhe telefonin që përdorej nga 64 -vjeçari dhe disa sende të tjera në shtëpinë ku është gjetur droga. Burime nga Policia e kryeqytetit pohuan se i moshuari dyshohet se bashkëpunonte me të birin e tij për të shitur lëndën narkotike, ndërsa nuk është arritur që të kapet ky i fundit. Klaiqi është marrë në pyetje nga oficerët e antidrogës, ku është pyetur për destinacionin e sasisë së hashashit që iu është gjetur në banesë. Materialet hetimore në ngarkim të Hysni Klaiqit do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.