E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafiku i pistoletave në kërkim disa kosovarë

MASA
Malazezi i kapur pak ditë më parë në Shkodër rrëfeu dje në Gjykatë se pistoletat i sillte me porosi të disa kosovarëve

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet me kërkesë të organit të akuzës i caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" të ndaluarit Nazim Ljikoviç, i arrestuar tre ditë më parë me 10 pistoleta që i kishte trafikuar nga Mali i Zi. Ka qenë prokurori i çështjes Behar Dibra që ka kërkuar nga gjyqtarja e masave Nertina Kosova që ndaj të arrestuarit të tre ditëve më parë të caktoi masën e sigurisë "arrest me burg", për dyshimin e kryerjes së veprave penale të "trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake" në bashkëpunim dhe "falsifikimit të monedhave". Këto vepra penale, sipas akuzës, dyshohet se i arrestuari me kombësi shqiptare por me shtetësi malazeze Ljikoviç i ka konsumuar gjatë transportimit të 10 pistoletave nga Kosova në Mal të Zi dhe më pas në Shqipëri. Si dhe gjatë arrestimit atij, policia ia gjeti dhe sekuestroi 2100 euro të falsifikuara që ia kishin dhënë "pronarët" e pistoletave të tipit "Ekol-Special 99" të prodhimit Turk por të modifikuara me nikës dhe punim artizanal. Vetë i arrestuari nuk ka pranuar të flas, duke i deleguar të gjithë të drejtat avokates së tij mbrojtëse Vjollca Pustina, e cila kërkoi nga gjykata një masë më të butë, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte jo e mirë për shkak se ishte invalid pa njërën nga shuplakat e dorës. Gjyqtarja, pasi dëgjoi këto pretendime vendosi të pranoi kërkesën e prokurorit duke lënë në "arrest me burg" të ndaluarin Ljikoviç deri në përfundim të hetimeve. Sipas akuzës, i arrestuari i tre ditëve më parë ishte paguar nga disa kosovarë për të sjell në Shqipëri 10 pistoletat. "Ulqinaku Nazim Ljikoviç tre ditë para arrestimit kishte hyrë në Shkodër nga Muriqani, për punë personale ku rastësisht kishte takuar disa kosovarë të cilët i kishin ofruar një punë transporti. Pasi kishin rënë dakord, kosovarët ia kishin marr makinën e tipit "Golf" me targa "BR AJ 011" duke ia riparuar dhe vendosur në derën e pasagjerit pas shoferit. Pasi ia kishin riparuar makinën ia kishin vendosur armët dhe diku në afërsi të pikës së kalimit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi ia kishin dorëzuar makinën dhe 2100 euro, që do ti merrte pritësi në Shqipëri. Për punën e "transportuesit" Ljikoviç kishte marr vetëm 200 euro valut dhe riparimin e makinës"-thuhet nga akuza. "Transportuesi" me makinën e tij ka kaluar nga Kosova në Mal të zi dhe më pas është drejtuar për në Shqipëri duke kaluar nga pika e kalimit kufitar të Muriqanit për tu arrestuar në Shkodër aty rreth orës 16:00 të pasdites së enjtes. Mësohet se i arrestuari ka identifikuar kosovarët nga Mitrovica për të cilët prokuroria do i dërgoi autoriteteve të policisë së Kosovës identifikimin dhe arrestimin e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›