Ligji për vlerat e luftës nis të implementohet sivjet

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se në pajtim me strategjinë legjislative, së shpejti vlerat e luftës do të mbrohen edhe me ligj, i cili do të rregullojë çështjet të cilat deri më tani kanë mbetur të parregulluara.
Duke folur pas mbledhjes së Ekzekutivit, Krasniqi tha se kjo çështje ka qenë temë diskutimi edhe gjatë vizitës së fundit që kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kanë bërë në familje Jashari në Prekaz.
Sipas zëdhënësit, të gjitha kategoritë e veteranëve të luftës kanë pasur një kujdes të shtuar nga kjo qeveri dhe se së shpejti këto vlera do të mbrohen edhe me ligj.
Në këtë aspekt, ai ka përmendur bashkëpunimin institucional të Qeverisë me ndërmarrjet publike, për punësimin e veteranëve, e invalidëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta. Gjithashtu Zyra për Çështje të Luftës në kuadër të Kryeministrisë, sipas tij, ka trajtuar një sërë çështjesh të rëndësishme, duke përfshirë edhe shumëfishimin e pensioneve për invalidët.
“Kjo zyrë ka trajtuar një sërë çështjesh me sukses, përveç fondeve që janë shumëfishuara krahasuar me vitet e mëparshme në qeveritë tjera, ne kemi arritur që këtë vit të realizojmë edhe një objektiv shumë të rëndësishëm për ne, që kompensimet pensionale për kategorinë e invalidëve të luftës të barazohen me pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe kështu e kemi përmbyllur një rreth të rëndësishëm të mbështetjes financiare për të gjitha këto kategori”, citon Krasniqin, agjencia e lajmeve KosovaPress.