Bathore, grupi i fëmijëve grabit kopshtin
TIRANE - Kopshti i fëmijëve në Bathore, ra këtë fundjavë pre e grabitjes nga disa persona. Burimet nga policia thanë se dje rreth orës 08:30 në Bathore shërbimet e Komisariatit nr.5 Tiranë kanë konstatuar vjedhjen e një kopshti në lagjen nr.2 të kësaj zone. "Menjëherë, shërbimet policore pranë këtij komisariati, kryen veprimet hetimore e procedurale, nga ku bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes, të cilët dyshohet se janë 6 shtetas të mitur me iniciale: D.D, 12 vjeç, S.D, 14 vjeç, F.B, 15 vjeç, E.S, 15 vjeç, Xh.Rr, 14 vjeç dhe Sh.S, 17 vjeç. Pasi u morën në pyetje, në prani të një përfaqësuesi ligjor dhe familjarëve të tyre, ata kanë deklaruar se: kanë marrë disa karrige metalike, të cilat më pas i kanë shitur për skrap", thanë burimet nga policia. Sipas saj dosja penale i kaloi Prokurorisë së Tiranës për akuzën e vjedhjes, ndërsa të miturit ndiqen në gjendje të lirë.