E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baton Haxhiu kundërshton akuzën: Jam i pafajshëm

Në paraqitjen e parë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës, publicisti Baton Haxhiu u deklarua se është i pafajshëm. Mbrojtësi i tij paralajmëroi kërkesë për lirimin e përkohshëm të Haxhiut, kurse trupi gjykues do ta shqyrtojë sa më parë që të jetë e mundur këtë kërkesë. Në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës u bë paraqitja e parë e publicistit Baton Haxhiu. Prokuroria e ka akuzuar Haxhiun për shpërfillje të Gjykatës së Hagës, konkretisht për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur të prokurorisë të procesit gjyqësor ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt përmes një artikulli të botuar në gazetën "Express". Në pyetjen e gjykatësit Alfons Orie se a e ndien veten fajtor për akuzën e bërë, publicisti Baton Haxhiu deklaroi: Jam absolutisht i pafajshëm. Avokati mbrojtës i Haxhiut i caktuar nga Gjykata e Hagës paralajmëroi kërkesën për lirim të përkohshëm të klientit të tij. Në pyetjen e gjykatësit se a ka ndonjë problem shëndetësor Haxhiu u përgjigj se ai personalisht nuk ka, por tha se babai i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të sëmundjes së kancerit. Ai kërkoi nga trupi gjykues që këtë argument ta ketë parasysh me rastin e shqyrtimit të kërkesës për lirim të përkohshëm deri në fillim të gjykimit. Kryesuesi i trupit gjykues sugjeroi që avokati mbrojtës të bëjë me shkrim kërkesën për lirim të përkohshëm të Baton Haxhiut, të cilën trupi gjykues do ta shqyrtojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe pasi të marrë garancitë nga UNMIK-u. Prokuroria nuk e kundërshtoi paralajmërimin e kërkesës për lirim të përkohshëm të Haxhiut. Gjykatësi Alfons Orie nuk e caktoi datën kur do të mbahet procesi gjyqësor ndaj Baton Haxhiut, por deklaroi se ai do të fillojë pasi të bëhen konsultimet midis palëve dhe kërkoi që disa materiale mbështetëse lidhur me këtë proces të mbeten konfidenciale, pra mos të bëhen publike. Ndërkaq, në një njoftim zyrtar nga Haga, bëhet e ditur se procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Kulturës së Kosovës, Astrit Haraçia, dhe ish-këshilltarit të kësaj ministrie e gazetarit Bajrush Morina do të fillojë më 16 qershor të këtij viti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›