Rama: Mos u besoni politikanëve gënjeshtarë
Dialogu me Shqipërinë i kryetarit të PS-së, Edi Rama, ka vazhduar në Librazhd. Të rinjtë e vendit dhe mundësitë e pakta të punësimit, marrja e cenuar e dijeve apo fenomeni i braktisjes së shkollës kanë qenë temat e bashkëbisedimit të kryetarit të PSSH me të rinjtë e Librazhdit. Duke folur në këtë takim, Rama theksoi se "Jemi ne që duhet t‘i japim fund këtij kapitulli të rëndë të 17 viteve ku dështimet i lënë vendin njëri-tjetrit. Zhgënjimet i lënë vendin njëri-tjetrit. Gënjeshtrat i lënë vendin njëra-tjetrës. Premtimet i lënë vendin njëri-tjetrit dhe realizimet për fat të keq janë shumë më pak sesa mosrealizimet, sukseset janë shumë më pak sesa dështimet, fjalët e mbajtura janë shumë herë më pak sesa fjalët e pambajtura. Duke dashur që t‘ju lë ju të merrni fjalën, unë do doja të theksoja diçka që është shumë e rëndësishme, ne u kemi një borxh të madh fëmijëve tanë, u kemi një borxh të madh kalamajve të Shqipërisë që rëndom në të gjithë territorin e vendit tonë gjenden në pamundësi për të shkuar në shkollë. Gjenden sot në pamundësi për të ndjekur normalisht rrugën e dijes. Gjenden sot në pamundësi për të pasur nesër akses në punë dhe në pamundësi për ta përfytyruar të ardhmen e tyre në Shqipëri, si të ardhme të sigurt".