“Tirana Socialiste”, kuti merimangash që hanin njëra-tjetrën
alma mile
Së shpejti ai do të ndalojë “Në stacionin e shtatë”. është botimi i radhës, ku veç pikëpamjeve për artin, për pikturën, u rikthehet edhe kujtimeve. Janë të trishta, por të pashmangshme. I merr me vete, kudo që të jesh. Piktori Arben Theodhosi, në muajin prill përgatitet për ekspozitën e tij të radhës e bashkë me të, edhe botimin “Në stacionin e shtatë”. Po në muajin prill do të hapë një ekspozitë në Strasburg. Piktori rrëfen laboratorin e tij krijues, por edhe të kaluarën e vështirë në internim, në Kurbnesh, si i biri i një të dënuari nga diktatura komuniste, ish-ministrit të Industrisë, Koço Theodhosi.
Z. Theodhosi, që herët jeta juaj është e lidhur pazgjidhmërisht me pikturën, pas kaq vitesh, si do të përkufizonit atë?
Pasion, mënyra e preferuar e të shprehurit dhe në njëfarë mase edhe mënyrë jetese.
Ju jeni piktor i njohur, punët tuaja janë të përhapura në galeri të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe Itali, Amerikë..., është e dhimbshme “ndarja” nga një pikturë?
Nuk është proces i dhimbshëm. çdo pikturë që realizoj është pjesë e imja (ose e unit tim në momente e rrethana të caktuara), gjithnjë dhe pavarësisht nëse ajo pikturë ndodhet pranë, apo larg meje.
Keni punuar si restaurues në Institutin e Monumenteve, ka lënë gjurmë ikonografia në punët tuaja?
Nuk ndiej gjurme ikonografie.
Punët tuaja kanë një miksim të veçantë koloresh, si lind ngjyra brenda jush?
Kohët e fundit më pëlqen në mënyrë të veçantë kombinimi bardhezi. Por, si rregull, unë blej vetëm tri ngjyrat bazë dhe miksimi pastaj është në dorën time. Më pëlqen që e quan të veçantë dhe ndoshta ashtu është. Si lind ngjyra brenda meje... Jemi në vitin 2010, mendoj se është tepër herët për të ditur sesi lind ngjyra brenda nesh.
Kush është “laboratori” juaj krijues, ka një orë të ditës, apo natës, që ju frymëzon?
Atalieja ime aktuale, e shtata që kam ndërruar gjatë periudhës 1990-2010, ndodhet pranë kafene “New Berlin”. Përgjithësisht nuk kam orar fiks. Problemi i frymëzimit është histori e gjatë. Një përgjigje më të detajuar për këtë do të sjell në botimin tim të ardhshëm (prill 2010), me titull “Në Stacionin e Shtatë”.
Ju keni kaluar një rini të vështirë, si e mbajtët gjallë pikturën brenda jush, kishit mundësi ta ushtronit në internim?
Kur u dëbova nga Tirana, në moshën 22-vjeçare, dhe vura këmbën në Kurbnesh, kuptova se rinia ime deri në atë moment nuk kishte qenë hiç e vështirë! Pikturën e mbajta gjallë dhe munda ta ushtroja, sepse e kisha pasion.
ç’kujtoni nga ato kohë, ku një i ri ndryshon tërësisht jetë, nga bir ministri, në të internuar, i mohohet arsimimi... ?
Ajo kohë ishte vërtetë e vështirë, por ajo që mund të kujtoj tani në mënyrë të koncentruar, është se shumë shpejt atë periudhë të vështirë, unë munda ta përjetoj në mënyrë të vetëdijshme, si përvojë dhe rritje. Arsimimi që m’u ndërpre, kur isha në vitin e tretë të Akademisë së Arteve e që do e vazhdoja në vitin 1991, më tepër si një detyrim zyrtar, do të kishte mbetur një arsimim i mjerë dhe shumë fukara, nëse do kishte përfunduar në “Tiranën Socialiste”, e cila asokohe ishte një kuti merimangash, që hanin njëra-tjetrën, duke buzëqeshur.
Kujtoni të tjerë bashkëvuajtës si ju, që kanë lënë gjurmë në jetën tuaj?
Po, në mënyrë të veçantë Dom Nikolin Përgjini dhe në përgjithësi e tërë masa e njerëzve të përndjekur, që vuanin padrejtësisht trillet e njerëzve “të sëmurë”.
Si ishte një ditë juaja në Kurbnesh?
Ditët në Kurbnesh ishin në njëfarë mënyre po aq të larmishme sa dhe kudo gjetkë. Ndryshimi, apo karakteristika ishte se që të përftoje këtë diversitet, duhej të djersije më shumë se individi i ashtuquajtur “i lirë”. Internimi ishte një masë e rëndë administrative, por njëkohësisht edhe një sfidë... Dita e zakonshme, pas punës, shpeshherë tepër të rëndë, vazhdohej me TV, libra (me të cilat isha relativisht i kamur), pikturë (shumë herë nuk ka rëndësi kohëzgjatja në realizimin e një akti), dalje në natyrë (shpatet e malit rreth qytezës ishin të egra, por mjaft interesante), biseda rreth letërsisë, kryesisht me Nikolin Përgjinin (sot Dom Nikolin Përgjini, në USA) dhe me dr. Harrilla Monen...
Reflektohet kjo e kaluar në punët tuaja, apo doni ta fshini... ?
Besoj reflektohet me mënyrën si është asimiluar, gjë kjo që si në çdo rast, i përket individualitetit dhe s’bëhet fjale për t’u fshirë.
Duke u kthyer tek e tashmja, ç’projekte keni në duar? Ku do jetë ekspozita e radhës?
Ekspozita e radhës është në Strasburg, në datën 26 prill. Punimet janë aprovuar 100% nga një komision i art-klubit të Këshillit të Evropës. Jemi tre artistë pjesëmarrës nga vende të ndryshme... Por do kisha dashur të flisja më shumë për të, pas ekspozitës.
Kalvari i një artisti
Arben Theodhosi lindi në Tiranë më 1953-in. Si i biri i Koço Theodhosit, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Industrisë, i dënuar me vdekje më 1977-ën nga regjimi diktatorial, Arbenit iu desh t’i kalonte vitet e rinisë së tij në internim. Plot 15 vite punë e detyruar në minierë, në Kurbnesh. Në vitin 1991 merr pjesë në ekspozitën “Forbidden Art” në Vjenë, ndërsa një vit më vonë hap një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve me 40 punime në vaj, të realizuara kryesisht gjatë viteve të internimit. Në vitin ’93 përfundon në Akademinë e Arteve studimet e ndërprera, kur ai ishte në vitin e tretë. Prej asaj kohe ka hapur ekspozita vetjake e në grup, në Shqipëri dhe vende të tjera, si në Greqi, ku jetoi dy vjet si emigrant, Itali, Holandë, etj. Ka fituar edhe çmime kombëtare si “Onufri ‘95". Shumë piktura të tij gjenden në koleksione private në shumë vende të Evropës dhe në SHBA. Një ndër veprat më të vlerësuara është piktura në vaj, “Purple Crucifix”, e cila bën pjesë në koleksionin e artit modern të Muzeut dioqezan “Albino Luciani” në Vitorio Veneto (Itali).