Reforma shkrin drejtoritë, Berati kthehet në “komunë”
BERAT/ DILAVER XHELILI
Reforma e “grupimit të institucioneve” pritet të shtojë listën e të papunëve në qarkun e Beratit. Më shumë se 150 punonjës të administratës do të lenë vendet e tyre të punës, si pasojë e kësaj reforme në fund të muajit mars.Unifikimi i disa drejtorive të rëndësishme me të tjera nëpër rrethe po e transformojnë Beratin nga një prefekturë në “komunë”. Tre drejtori si dhe dega ushtarake do të transferohen në qytete të tilla si Vlora, Fieri apo Elbasani. Këtë fakt e bëjnë të ditur burime pranë institucioneve që do të shkrihen. Sipas tyre, urdhëresa ka ardhur zyrtarisht nga ministritë përkatëse dhe në fund të muajit, punonjësit e këtyre drejtorive do të dalin në reformë. Të njëjtat burime bënë të ditur se drejtoritë që do të shkrihen janë ajo e OSSH-së, Drejtoria e Rajonale e Tatim Taksave, Drejtoria e Arsimit si dhe dega e Mobilizimit. “Shkrirja e këtyre institucioneve po kryhet pas një vendimi që Qeveria ka marrë në kuadrin e reformave. Në këtë mënyrë po grupohen shumë drejtori me qëllim për të shmangur fryrjen e institucioneve. Por qarku i Beratit po goditet shumë rëndë me këtë vendim, pasi po na largohen shumë institucione të rëndësishme, ndërkohë që shumë punonjës do të dalin edhe të papunë” u shprehën zyrtarë të këtyre drejtorive. Mësohet se drejtoria e OSSH- së do t’i bashkëngjitet drejtorisë së Elbasanit. Për pasojë në këtë ndërmarrje do të “flaken” shumë punonjës që kanë punuar me dekada, përfshirë këtu edhe krerët e saj. Vetëm ditët e fundit janë lajmëruar për shkarkim dhjetëra specialistë, duke shënuar kështu pasojat e para të shkrirjes së drejtorisë rajonale.
Ndërkohë, drejtoria rajonale e Tatim-Taksave do të unifikohet me atë të Fierit. Po në këtë qark do të kalojë edhe dega ushtarake, ndërsa Drejtoria Arsimore sipas burimeve do të kalojë në Vlorë. Drejtuesit e pushtetit vendor nuk i kanë pritur mirë këto vendime, pasi sipas tyre me transferimin e këtyre institucioneve, Berati do të kthehet nga një prefekturë në një komunë. Sipas tyre, kjo e paralizon këtë qark, i cili është një ndër më të varfrit në shkallë vendi duke pasur parasysh listën e gjatë të të papunëve. Një tjetër problem mbetet edhe sorollatja e banorëve, të cilët për të mbaruar një punë në drejtoritë përkatëse do t’iu duhet të marrin rrugën nëpër qarqe të tjera.