Rahmaninov, dy vepra premierë nga Ana Kaçinari
Në pamje të parë, Ana Kaçinari është si gjithë vajzat e tjera të moshës së saj. Sy çapkënë, buzëqeshje e madhe dhe biseda në telefon me prindërit, që si të gjithë në pozicionin e tyre, janë të interesuar për gjithçka ajo bën. Veçse Ana Kaçinari është një vajzë me dhunti. Pedagogët e saj flasin për një talent të veçantë që i ka ardhur Akademisë së Arteve dhe për një të ardhme të sigurt si koncertiste. Mbrëmjen e së premtes, në skenën e Akademisë së Arteve u luajt një koncert me peshë. Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e të mirënjohurit Eno Koço, i ofruan publikut një koncert premierë, me vepra të kompozitorit të madh rus, Sergei Rahmaninov. (Rachmaninoff). Soliste në piano ishte 21-vjeçarja Ana Kaçinari. Një koncert i vështirë, pjesë që luheshin për herë të parë, që nuk kërkonin thjesht e vetëm shumë punë, por edhe temperament, ndjeshmëri. E duket se studentja e vitit të katërt në Akademinë e Arteve i zotëron të dyja këto karakteristika. Ia arriti deri në fund, ndonëse mjeshtri rus kërkon kurajë. Dy prej katër pjesëve të programit,”Koncert për piano” dhe orkestër Nr. 4 dhe “Valle simfonike” vinin për herë të parë në skenën shqiptare. Njëra prej tyre, e shkruar në një stil amerikan, delikate, skercoze, i përshtatej më tepër karakterit të pianistes, e cila thotë se ka qëlluar që pikërisht Rahmaninov, të jetë një nga kompozitorët e saj të zemrës. Megjithëse kishte punuar shumë, Kaçinari nuk mund ta fshihte se emocionet ishin shumë të mëdha përpara koncertit. Ishte bashkëpunimi i saj i parë me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, e përbërë nga mjeshtër e siç thotë ajo, nuk duhej të binte poshtë nivelit të tyre. E aq më shumë që drejtohej dhe nga një mjeshtër i bagetës, si Eno Koço. Përgjegjësia ishte dyfishe. Madje-madje 3-fishe. Mbiemri Kaçinari, menjëherë të sjell ndër mend një nga kompozitorët më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare, Alfred Kaçinarin. E vërtetë, ai është i ati i pianistes. “Dikush mund të mendojë se duke qenë e bija e tij, mund ta kem më të lehtë për të çarë në këtë rrugë. Por kjo nuk është e vërtetë, pasi përgjegjësia është më e madhe. Duhet të përfaqësoj emrin tim dhe emrin e tij”, - thotë Ana. Siç ndodh rëndom në familjet e artistëve, edhe ajo shtysën fillestare e ka pasur nga prindërit. “Kam qenë ende e pandërgjegjshme, vetëm 5 vjeç, kur jam ulur për herë të parë në piano, por më tej ka qenë zgjedhja ime, pasi isha unë, ajo që vendosa në duhet ta vazhdoja më tej”, - shprehet ajo, teksa zbulon se kur vjen fjala te puna, i ati është vërtetë i rreptë (në këtë rast pamja nuk gënjen). “Për punë është i rreptë, do punë, do orare, disiplinë dhe kjo më ka ndihmuar. Por fatmirësisht kam mamanë disi më tolerante. Dhe kështu ata kanë ekuilibruar njëri-tjetrin”, - thotë Ana, duke shtuar se fëmijëria dhe adoleshenca e saj nuk ka qenë si e gjithë moshatarëve. Shumë studim dhe pak lojëra, por me buzë në gaz, teksa ka edhe shumë rrugë përpara, thotë se ka filluar t’ia ndiejë lodhjes frytet. Disi më e lehtësuar pas koncertit, i cili ishte një sukses për të, Kaçinari rinis përgatitjet për dy diplomat e saj, një në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe tjetrën në “Arts Academy” në Romë. Më tej ndoshta një tjetër specializim. “Do vazhdoj të perfeksionohem si soliste dhe nuk e mendoj se do të largohem nga Shqipëria.” al.mi