E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarja e tokës mban në izolim 40 fshatra



SKRAPAR – Fshatrat e Skraparit vazhdojnë të mbeten të izoluara nga shkarja e tokës një jave më parë. Shkëputja e një sipërfaqe të madhe toke ka shtuar për banorët e rreth 40 fshatrave të thella kohën e bllokimit të tyre. Fillimisht ishin reshjet e dëborës, ndërsa tani rrëshqitjet e tokës, duke i lënë banorët e zonave të thella me probleme për ushqime, barna ndërsa mungon prej kohësh dhe energjia elektrike. Kryetari i komunës Gjerbës, Dilaver Zyka, u shpreh dje se banorët e saj janë në kushte të rënda. Dëmtimi dhe bllokimi i rrugës nuk i mundëson banorët të zbresin në komuna të tjera apo deri në qytet për të plotësuar nevojat e tyre. Më alarmante bëhet gjendja në rastet e të sëmurëve apo në rastet e urgjencave, duke i detyruar familjarët t’i transportojnë me kafshë për në spitalin e çorovodës. Pasojat e motit dhe mungesës së një ndihme konkrete për të shpëtuar fshatrat nga izololimi po i vuajnë dhe nxënësit e shkollave, të cilët kanë disa muaj që nuk bëjnë fare mësim. Ndonëse nga ana e qarkut është shprehur angazhim dhe po tentohet të hapet një pjesë e rrugës, gjatësia dhe terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen e shpejtë. Përballë kësaj gjendjeje, kryekomunari Zyka kërkon ndihmën e qeverisë. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›