E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, kaos në dyert e spitalit



BURREL - Dhjetëra njerëz, pacientë, qytetarë, mjekë e infermierë vazhdojnë të qëndrojnë për orë të tëra në dyert e spitalit “Xhavit Mara” të Burrelit. Urdhrat e lëshuar nga drejtoria e spitalit mbi oraret e hyrjes krijojnë kaos e rrëmujë çdo ditë, madje nuk kanë munguar edhe fyerjet e kërcënimet fizike ndaj zyrtarëve të këtij institucioni. Policia private e ka të pamundur të zbatojë urdhrat e lëshuar për bllokimin e lëvizjes së të sëmurëve për në mjediset e kirurgjisë, pediatrisë apo maternitetit. çdo ditë, nëna me fëmijë të vegjël, mjekë që duan të lëvizin nga poliklinika për në repartet e spitalit, njerëz të afërm të fëmijëve të sëmurë që janë autorizuar të qëndrojnë pranë fëmijëve, nuk lejohen të hyjnë në mjediset e spitalit. Mes drejtuesve të spitalit dhe pacientëve e qytetarëve herë pas here ka konfrontim fizik, për faktin se njerëz në nevojë kërkojnë të hyjnë në spitalin lokal të rrethit. Punonjësit e policisë private kanë ndërhyrë shpesh për ndaljen e dhunës, por sipas mjekëve të spitalit kërkohet zgjidhja e hyrje-daljeve nga spitali. “Mjekët thanë se e kanë të pamundur të punojnë në këto kushte, duke qëndruar me orë të tëra në dyert e portës kryesore. As urgjencat nuk duhen lënë për orë të tëra në pritje. Mjekët e poliklinikës u rekomandojnë prindërve të shtrojnë fëmijët në spitalin e pediatrisë, ndërkaq ato nuk lejohen me urdhër të drejtorisë. Ky kaos dhe kjo rrëmujë e krijuar me urdhër të drejtorisë duhet të marrë fund. Ndërkaq duhet zgjidhur çështja e lëvizjes së mjekëve dhe personelit të spitalit nëpërmjet një hyrje të veçantë, ndryshe kaosi dhe rrëmuja do të vazhdojnë edhe në ditët që vijnë”, thanë mjekët e Burrelit për “Panorama”. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›