E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batuta e Platinisë: S’ju ndihmoj dot në fushë

 

Jetmir Halilaj

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, edhe pse me nota humori u ka kërkuar drejtuesve të futbollit në Shqipëri që të jenë më bashkëpunues dhe t’i kushtojnë më tepër vëmendje përgatitjes së të rinjve. “Dua të saktësoj një gjë: unë nuk kam ardhur në Shqipëri, që të ndikoj me rolin tim që Shqipëria të fitojë ndeshjet kundër skuadrave të tjera, por për të shprehur mbështetjen time që të ndihmoj në formimin e brezave e rinj të futbollistëve, dhe këtë duhet ta bëj me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ministrinë, që besoj se e kuptoi se çfarë do të bëjmë ne me futbollin në Shqipëri”, ka thënë Mishel Platini pas takimit në MTKRS. Ministri i Sporteve, Ylli Pango, u shpreh me nota optimizmi pas takimit të tij me numrin 1 të UEFA-s. “Biseduam kryesisht për projektet e UEFA-s për të ndihmuar sportin shqiptar. Është një projekt për të shtuar orët e mësimit në fushën e edukimit fizik dhe në veçanti të futbollit. Për ta hapur më gjerësisht atë. Është një projekt për 12 fusha stërvitore futbolli, të cilat do të financohen nga UEFA, duke i kaluar këto fonde përmes Federatës Shqiptare të Futbollit. Kemi folur edhe për ide të tjera interesante”, deklaroi Pango. Vizita e presidentit të UEFA-s në Tiranë i ka dhënë fund zyrtarisht edhe konfliktit mes shtetit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjatë bisedimeve të djeshme mes të tria palëve nuk është diskutuar për nenin 53, të shumëpërfolur të statutit të FSHF-së, por Pango ka saktësuar duke thënë: “Nuk u diskutua fare ai nen dhe për këtë përgjigje do të jap unë. Është një nen, për të cilin ekipet, po i quaj teknike, janë marrë vesh. Është riformuluar neni në lidhje me përcaktimin “pa kufizim në kohë, hapësirë e tij,”. Do të kalojë siç kemi rënë dakord, por do të bëjmë edhe disa rregullime të tjera. Kjo është në diskutim në nivel specialistësh”. Statuti i ri i Federatës pritet të miratohet sot në Asamblenë e Zakonshme të Përgjithshme, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka vlerësuar mbështetjen e UEFA-s dhe në veçanti atë të Shqipërisë. Sipas tij, Mishel Platini me vizitën e tij në Tiranë vërtetoi se e ka mbajtur fjalën përsa i përket mbështetjes ndaj vendeve të vogla. “Mendoj se presidenti i UEFA-s i vlerëson në mënyrë të barabartë anëtarët, veçanërisht ne që mund të quhemi të vegjël” – ka thënë Duka për albanisoccer.com.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›