Regjistër edhe për emigrantët
Projekt për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë. Sipas kreut të Ministrisë së Punës, në kushtet kur rreth 1/3 e popullsisë është jashtë vendit, kjo nismë është kthyer në domosdoshmëri. Gjithçka u diskutua dje në takimin që Ministri i Punës Anastas Duro zhvilloi me shefen e zyrës së IOM në Tiranë, Nicoletta Giordano. “Ne mendojmë se ka ardhur koha dhe nuk duhet vonuar çelja e një projekti për krijimin e regjistrit të emigrantëve. Ky regjistër nuk do të shërbejë thjesht dhe vetëm për statistika, por veçanërisht për të ndërtuar politika eficente për mbështetjen, mbrojtjen, por edhe rikthimin e pothuaj një të tretës së popullsisë”, u shpreh ministri Duro. Sipas tij, mungesa e këtij regjistri bën që vendi ynë të hasë në pengesa dhe vështirësi në iniciativat për të kontaktuar me vendet pritëse të emigrantëve. “Gjithashtu për të filluar procesin e draftimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e punësimit dhe mbrojtjes reciproke sociale”, tha Duro. Në këtë kuadër, sipas tij kontributi i IOM në realizimin sa më të shpejtë dhe të saktë të këtij projekti, vlerësohet si i nevojshëm dhe i dobishëm nga strukturat e ministrisë.