E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shkallët”, çmim i madh në Montpellier

 

Filmi shqiptar “Shkallët” ka marrë çmimin «Grand Prix » në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër në Festivalin e Kinematografisë së vendeve mesdhetare, që u zhvillua këto ditë në Montpellier. “Shkallët”, një film me regji të Ilir Harxhit dhe skenar të Artan Minarollit, tregon historinë e një ndërtuesi të pangopur. Për të fituar sa më shumë, arrin deri aty sa edhe pallatin ku banon vetë e ndërton jashtë standardeve, duke ngushtuar shkallët, të cilat i sjellin atij edhe fundin tragjik. Një histori tragjikomike, me situata groteske. Në film interpretojnë aktorët, Margarita Xhepa, Anjeza Vuthaj, Genc Fuga, Ledio Lako, Naun Shundi, etj. I gëzuar për këtë çmim të marrë në “shtëpinë” e kinemasë, në Francë, Harxhi është shprehur tepër i kënaqur. “Rëndësia e këtij çmimi u duk në 24 orë, pasi mora ftesa për të marrë pjesë në dy festivale të tjera”.
Ky film ishte në garë së bashku me 20 filma të tjerë me metrazh të shkurtër. Çmimet “Grand Prix” ishin 3. Përveç Shqipërisë, ato shkuan edhe për përfaqësuesit e Sllovenisë dhe Algjerisë.
Filmi “Shkallët”, pati premierën në Tiranë 3 muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›