E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e Partizani kualifikohen... në tavolinë

 

Ndeshjet e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë përcaktuan 16 ekipet më të mira, që do të bëjnë pjesë në turin e dytë të edicionit të 57-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Shkumbini u dha një leksion të mirë ersekasve të Gramozit, me “pokerin” 4-0 në Peqin, pasi kishte fituar dy javë më parë 2-0 në Ersekë. Vllaznia u tregua sërish e pamëshirshme me Sopotin, por kësaj radhe duke u lejuar golin e flamurit librazhdasve: nga 4-0 në ndeshjen e parë, në 4-1. Kastrioti fitoi 2-0 me Luftëtarin e Gjirokastrës, duke u kualifikuar për më tej. “Sëmundjen” tepelenase e pati edhe Albpetroli i Patosit, që nuk u paraqit në kryeqytet për t’u përballur me Dinamon. Blutë kishin fituar takimin e parë në Patos me rezultatin 1-0. Skënderbeu pas humbjes së ndeshjes së parë me Laçin (1-2), u hakmor me laçianët, duke fituar 3-1. Besa fitoi thellësisht 4-0 me Ilirinë, teksa takimin e parë e kishte fituar 2-0. Apolonia shkarkoi gjithë inatin ndaj Dajtit. Pas fitores së parë 3-0, fierakët fituan në “Loni Papuçiu” akoma më thellë: 5-0. Teuta kreu formalitet me Pogradecin: 2-0. Partizani e pati më të lehtë nga të gjithë. Tepelena e Kategorisë së dytë pas humbjes në ndeshjen e parë 5-1, nuk u paraqit fare në kryeqytet në kompleksin “Partizani”. Tirana siguroi kualifikimin Tërbunin falë një goli të “vockël” të shënuar nga Memelli. Elbasani shkatërroi Tomorin e Kategorisë së dytë me një “pesëshe” të bukur: 5-0, pasi kishte fituar edhe takimin e parë në Berat 3-1. Lushnja i mbylli llogaritë me Turbinën e Cërrikut, duke fituar 2-0. Burreli fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 me Adën, duke siguruar edhe kualifikimin pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Besëlidhja fitoi 2-1 takimin e dytë me Skraparin, duke u futur në listën e 16 ekipeve më të mira. Flamurtari me të rinj zhvilloi një test jo të lehtë me Naftëtarin; 3-2. Bylisi fitoi 3-0 me Bilishti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›