E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Rritje me 14 për qind për pagat e mësuesve

 

ZIRINA LLAMBRO

“Pagat e mësuesve në arsimin parauniversitar do të rriten me 14% në vitin 2009. Pos kësaj kemi parashikuar të shtojmë në mënyrë të  diferencuar pagat e punonjësve të arsimit universitar”. Këtë deklaratë bëri dje Ministri i Arsimit, Fatos Beja, në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Medias. Gjatë mbledhjes ku u prezantua projektbuxheti, për vitin që vjen nuk munguan as debatet. Sipas anëtarëve të majtë të komisionit, qeveria nuk ka mbajtur premtimet për arsimin. U premtua që 40 për qind të arsimit të mesëm do ta zinte arsimi profesional, ndërkohë që shifrat flasin vetëm për 19 për qind”, u shpreh Leskaj. Por sipas ministrit Beja, arsimi profesional ka qenë dhe mbetet  prioritet. “Do të fokusohemi më shumë në këtë drejtim, pasi ajo që vihet re është se të rinjtë shqiptarë preferojnë më tepër shkollat e përgjithshme se ato te mesme teknike”, tha Beja. Duke folur për shifrat, ministri raportoi se në vitin 2009 buxheti i arsimit do të jetë 41 miliardë e 169 milionë lekë dhe investimet do të rriten me 36 %. “Për arsimin bazë do të shpenzohen 3.2 miliardë lekë, dhe për atë të lartë 9.6 miliardë, nga 6.8 që është këtë vit”, tha Beja. I pyetur mbi Fondin e Ekselencës, ministri bëri me dije se për vitin 2009 ai parashikohet të jetë 1 milion euro, ndërkohë që qeveria nxit aplikimet e studentëve për këtë fond. Duke iu referuar zërave kryesorë të shpenzimeve të parashikuara për vitin që vjen, ministri theksoi se parashikohet sigurimi i autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë universitar në zbatim të ligjit të ri. Sa i përket zgjerimit të infrastrukturës,  në të gjitha nivelet janë parashikuar një sërë investimesh me qëllim uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa. Në këtë drejtim, ministri e konsideroi Tiranën një qytet problematik për sa i përket numrit të nxënësve nëpër shkolla, kjo për shkak të shtimit të popullsisë. Por nga ana tjetër, Beja e cilësoi si një arritje mesataren e nxënësve në klasa. “Në Tiranë kemi vetëm një klasë me 41 nxënës, ndërsa mesatarja e numrit të nxënësve për klasë është 38.5 nxënës”, tha ministri Beja. Objektivi i programit qeverisës është reduktimi i numrit të nxënësve 25-30 për klasë.

Mbingarkesa në shkolla

Disa javë më parë Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja ka deklaruar se do të merren ambiente me qira. Këto  për të zbutur fluksin në shkollat 9-vjeçare. Reforma e re në arsim ka sjellë mjaft probleme në këtë sistem, sidomos në Tiranë. Një pjesë e shkollave, ndonëse ka disa muaj që ka nisur viti shkollor, nuk kanë përfunduar ende rikonstruksioni. Në mungesë të ambienteve, nxënësit detyrohen të bëjnë mësim me 2 turne, madje dhe me 3. Janë jo pak, por 307 shkolla, të cilat e kanë të pamundur të përballojnë fluksin. Aktualisht MASH, ka marrë me qira ambientet e 21 lokaleve pranë shkollave për të përballuar numrin e madh të nxënësve në sistemin 9-vjeçar. Po t’i referohesh statistikave të ministrisë, aktualisht mësim me dy turne bëjnë 16 % e shkollave në rang vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›