Koplik, arrestohet për dhunë kreu i Këshillit Bashkiak
KOPLIK - Policia e Malësisë së Madhe arrestoi dje kryetarin e Këshillit Bashkiak të Koplikut, Ardian Hysa. Mësohet se 30-vjeçari u prangos rreth orës 17.00, pasi kundërshtoi me dhunë një punonjës të policisë. Sipas policisë, Hysa kishte goditur për shkak të detyrës shefin e krimeve të komisariatit të Malësisë së Madhe. Ky i fundit ishte bashkë me grupin e gatshëm pas sinjalit për një konflikt. Pjesëmarrës në këtë debat ishin edhe disa të afërm të kreut të këshillit bashkiak, i zgjedhur si subjekt i PD-së dy muaj më parë në krye të kësaj detyre. Policia ka shkuar në vendngjarje për të shmangur precipitimin e këtij konflikti. Por në momentin, që do të shoqëronte personat e përfshirë, duke abuzuar edhe me detyrën që mbante, 30-vjeçari nuk lejoi policinë të bënte punën e saj dhe të shoqëronte personat. Për disa minuta ai ka debatuar me shefin e krimeve, duke i bërë të ditur edhe postin që mbante, deri kur situata precipitoi me dhunë. Kreu i këshillit bashkiak goditi me grusht shefin e “pabindur”, por më pas ai përfundoi në prangat e kolegëve të së dhunuarit. r.d