E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Amerikë, si Pikaso, në fillim blinte bojëra

 

ALMA MILE

Të krijonte botën magjike që shfaqej në skenë e zhdukej menjëherë pas mbylljes së perdeve, ishte ëndrra e tij më e madhe qysh fëmijë. Që nga koha, kur shikonte i strukur në kolltuk, shfaqjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, kanë kaluar shumë vite. Andis Gjoni, sot skenograf, ka mundur të bëjë pjesë në atë sërën e “magjistarëve” që krijojnë “botët” skenike. Sapo ka marrë një çmim special në një festival të rëndësishëm në Nju Jork, për skenografinë e veprës “Vila Diodati”. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Gjoni tregon, jo vetëm për çmimin, por edhe për punën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çka marrë me vete nga arti shqiptar dhe çka merr përditë nga bota e madhe amerikane.
Sapo keni fituar një çmim në një festival të rëndësishëm në Nju Jork, cilat ishin ndjesitë e para pasi mësuat lajmin?
Sigurisht që u gëzova. Nuk është e lehtë të marrësh një vlerësim në mes të 30 skenografëve amerikanë. Sigurisht që do isha edhe më i gëzuar po të kisha marrë çmimin e parë, që kishte një titull mjaft bombastik si “skenografia më e shkëlqyer”, megjithatë është një vlerësim të cilin e mirëpres, sepse edhe stimujt moralë të nxisin për krijime dhe arritje edhe më të mira.
Cila ishte vepra për të cilën u vlerësuat?
Vepra me të cilën u paraqita ishte “Vila Diodati”. Ngjarjet e operës zhvillohen në një vilë pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër dhe protagonistët e saj më intriguan sapo e mora në dorë dhe fillova leximin e tekstit. Bëhej fjalë për personazhe të njohur edhe për shqiptarët si Lord Bajroni, poeti Përsi Shelli dhe bashkëshortja e tij e ardhshme shkrimtarja Mari Shelli, autorja e librit “Frankenshtajn”, të cilët më tërhoqën në botën e tyre, duke më dhënë shumë dorë në gjetjen e elementëve të veçantë. Veçanërisht u pëlqye sfondi i madh i pikturuar prej meje në trajtat e një pikture ireale të piktorit anglez të shek. XIX, Tërner. U mundova ta trajtoj me ngjyra mistike, duke i dhënë një frymë sensuale, sepse dashuria e përshkon tej e tej këtë vepër.
Ndonëse në një vend aq të madh sa SHBA, ju keni arritur të dilni nga anonimati, sa e vështirë ka qenë të arrini deri këtu?
Përkushtimi që kam ndaj artit në përgjithësi dhe teatrit në veçanti, më ka shtyrë gjithmonë të bëj sakrifica, të cilat nganjëherë i kalojnë kufijtë e detyrës. SHBA është vërtetë vend i paanë dhe ka aq shumë artistë, saqë me ta mund të krijosh një shtet me disa milionë banorë. Pra, mund ta imagjinoni konkurrencën e madhe dhe profesionalizmin që ekziston. Them se sekreti është pasioni që kanë njerëz të veçantë për skenën, një shtytje e brendshme, që të bën të harrosh lodhjen dhe vështirësitë e të mendosh vetëm për realizimin e një shfaqjeje, ose krijimin e një vepre sa më të bukur. Punoj shumë, lexoj shumë dhe gjithë kohës vetëm mendoj rreth zgjidhjes së problemeve artistike. Janë “ekuacione” jo të zakonshme që kërkojnë një eksperiencë jo të vogël në zgjidhjen e tyre dhe vetëm puna me pasion bën që të arrish suksesin. Sidoqoftë rruga është ende e gjatë. Nuk kam arritur ende tek çmimi “Toni”, që është vlerësimi më i lartë për teatrin këtu në SHBA, por le të shpresojmë së shpejti.
Të qenit shqiptar, ju ka ndihmuar apo penguar në punën tuaj në Amerikë?
Amerika është një vend i krijuar nga emigrantë dhe për këtë arsye nuk ka asnjë lloj dallimi të dukshëm midis banorëve të këtij vendi. Këtu nuk ka rëndësi se nga je, por sa i zoti je. Po ta marrësh në aspektin profesional, këtu janë të paktë shqiptarët që merren me teatrin, ndërsa në aspektin shoqëror ka një komunitet të gjerë dhe shumë herë nuk e ndien dhe aq shumë mungesën e vendlindjes, sepse edhe kur del në rrugë a lagje të veçanta dëgjon të flitet vetëm shqip dhe muzika shqipe buçet nga makinat. Megjithatë kanë qenë bashkëkombësit që shpesh kanë dhënë një dorë, duke ndihmuar në procesin e realizimit të ndonjë shfaqjeje që ka kërkuar shumë ndihmës. Pra, mund të them se fakti i të qenit shqiptar indirekt ka qenë një plus.
Çfarë keni marrë me vete nga arti shqiptar?
Kam krijuar edhe në Shqipëri vepra në pikturë, instalacione dhe foto, të gjitha të frymëzuara nga realiteti, ose nga momente të caktuara, që i gjen vetëm në vendlindje. Gjithë ajo punë sigurisht që nuk është tretur dhe nuk mund të ndodhë, që ti vjen e bëhesh tjetër njeri sapo zbret në Nju Jork. Jo, një influencë do thosha pozitive, vjen edhe nga ai “background”, nga shfaqjet që kam parë në skenë aty, që në moshën 5-vjeçare. Meqë prindërit ishin të dy artistë më merrnin gjithmonë me vete të shikoja shfaqje të ndryshme dhe këto kanë krijuar atë bazë, mbi të cilën është ngritur pastaj pasioni im për artin dhe skenografinë në veçanti. Një herë më kujtohet që kisha parë shumë i emocionuar baletin “Halili dhe Hajria” të së paharruarit Tish Daija dhe pas shfaqjes i kërkova prindërve të më shpinin medoemos të uroja personazhin kryesor Halilin, që interpretohej nga balerini i talentuar Xhemil Simixhiu. Dhe e mbaj mend se sa u zhgënjeva dhe u thashë prindërve “Ky nuk është Halili!” Unë po prisja të takoja një burrë me tirqe të bardha, me xhubletë të praruar, me mustaqe e me shpatë në brez, ndërkohë, që Xhemili kishte mbaruar shfaqjen dhe kishte dalë tek trotuari përpara Teatrit të Operas, pas shfaqjes. Momente humori, por edhe të tjera si këto, të mbeten të pashlyera në kujtesë dhe janë copëza arti shqiptar, që së bashku me ADN-në transmetohen brez pas brezi për të krijuar individualitetin e çdo artisti.
Çfarë ju ka dhënë Amerika?
Amerika më ka krijuar mundësi që ta vazhdoj edhe më me pasion veprën time. Së pari më ka krijuar atë qetësi materiale, që nëse nuk e ke bëhet mbytëse për çdo artist. Nëse je tërë kohën i shtrënguar nga vështirësi financiare ato nuk të lenë të krijosh i qetë dhe janë pengesa të jashtëzakonshme. Eshtë pak a shumë si ajo historia e Pikasos, i cili vuante në fillimet e karrierës artistike se nuk kishte të holla të blinte bojëra dhe sa u bë i pasur, gjëja e parë që bëri ishte të mbushte një dhomë plot me tubete dhe bojëra, që të mos kishte më merak se i mbaroheshin. Edhe unë kam blerë aq shume materiale e bojëra e libra, por ato nuk mbarojnë kurrë, prapë ke dëshirë të blesh të tjera kështu që e vetmja zgjidhje mbetet biblioteka, e cila në këtë drejtim të vjen në ndihmë se përndryshe nuk do ia dilja dot. (Qesh)
Amerika më ka dhënë mundësinë të zgjeroj njohuritë e mia në fushën e artit me libra e literaturë shumë të zgjedhur dhe profesionale. Lexoj shumë dhe vazhdimisht gjej gjëra të reja, për të cilat duhet të vihem në kontakt, pra është një proces i vazhdueshëm. Dita 24 orëshe duket sikur nuk mjafton për të arritur gjithçka. Eshtë e çuditshme, por që në momentin që erdha në Amerikë thashë me vete se këtu koha ecën me dyfishin e shpejtësisë, ti nuk e ke kuptuar dhe dita ka mbaruar e ndërkohë të kanë mbetur aq shumë gjëra për të bërë.

Festivali
Festivali i Muzikaleve në Nju Jork (SHBA), është një aktivitet i rëndësishëm i teatrit dhe që nga krijimi i tij ka promovuar dhe çuar drejt suksesit rreth 130 opera dhe muzikale të ndryshëm. Festivali është vlerësuar se ka të njëjtën rëndësi si festivali “Sundance” i filmit dhe konsiderohet si baza kryesore e zbulimit të talenteve të reja në fushën e teatrit dhe muzikaleve. Andis Gjoni u ftua të merrte pjesë në këtë festival nga regjisori Rob Urbinati, i cili ishte në fazën përgatitore për vënien në skenë të një opere të re, që shfaqej për herë të parë, pra ishte premierë botërore. Në këtë realizim pati bashkëpunimin e dytë edhe me dirigjentin Tomas Bo, me të cilin një vit më parë realizoi në Tiranë muzikalin “Puthmë Keit”. Ishte pikërisht ai që e lajmëroi përmes telefonit disa ditë më parë për çmimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›