E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhëruell paralajmëron tifozët: Mos udhëtoni për në Shqipëri!

Kundërshtari i Flamurtarit në turin e dytë të Europa League, Madhëruell, u bën thirrje tifozëve të saj të mos udhëtojnë drejt Shqipërisë për ndeshjen e të enjtes së 16 korrikut. Skuadra skoceze arriti kualifikimin falë fitores 3-0 në fushën e Lanelit, që mundësoi kështu përmbysjen e humbjes 3-1 në ndeshjen e parë në shtëpi. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk duan që tifozët të shkojnë në Vlorë pa u konsultuar me "Foreign Office" (Zyrën e Jashtme) dhe policinë. "Tifozët duhet të jenë të vetëdijshëm se në interes të ruajtjes së sigurisë fizike, ‘Foreign Office‘ si dhe ‘Strathclyde Policia‘ i kanë këshilluar të mos udhëtojnë për në Shqipëri gjatë javëve të ardhshme. Si rezultat, klubi nuk do të organizojë fluturime me çarter dhe tifozët duhet ta marrin në konsideratë seriozisht këtë paralajmërim", thuhej dje në një deklaratë të klubit. Një zëdhënës i Madhëruellit tha për "BBC Scotland" se nuk ka pasur shqetësime mbi vendin e zhvillimit të ndeshjes dhe se klubi nuk do të kërkojë ndryshimin e tij. Drejtuesit e klubit e vlerësuan mbështetjen e fansave të saj për ndeshjen në Lanelit, por ata janë të shqetësuar për tifozët që mund të udhëtojnë në mënyrë të pavarur drejt Shqipërisë. Drejtori i përgjithshëm i Madhëruellit, Leanne Dempster, u shpreh për "BBC Scotland": "Ne e dimë se disa tifozë do të udhëtojnë në mbështetje të ekipit. Do të donim që ata, përpara se të ndërmarrin këtë udhëtim, të drejtohen te faqja e "Foreign Office" në internet për të marrë disa informacione bazë. Por, për fat të keq, nuk do të ketë fluturime të organizuara nga klubi me çarter dhe arsye për këtë është mungesa e sigurisë". Përfaqësuesja U-21 e Skocisë luajti një ndeshje eliminatore të Europianit të të rinjve në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në mars, por nuk u regjistrua asnjë incident. "Foreign Office" thekson se siguria publike në përgjithësi është e mirë, sidomos në Tiranë, dhe shqiptarët janë shumë mikpritës për vizitorët. Megjithatë, në këtë faqe thuhet gjithashtu se krimi dhe dhuna ende paraqiten si një problem serioz në disa zona, pasi ende shumë armë janë në duar të popullit. "Foreign Office" shton se qyteti bregdetar i Vlorës është një zonë ku kohët e fundit është raportuar për vjedhje valixhesh në dhoma hotelesh dhe në transportin publik. Ndërkohë që trajneri Xhim Genon mendon vetëm për ndeshjen. Ai shpreson të sjellë dy ose tre futbollistë të rinj në ekip para ndeshjes së të enjtes ndaj Flamurtarit. Një gjë të tillë ai e bëri të ditur pas fitores 3-0 ndaj Lanelit. Genon u shpreh: "Ne jemi në pritje të dy ose tre lojtarëve të rinj. U kualifikuam për në raundin e dytë dhe duhet ta përshpejtojmë procesin e përforcimeve. Me gjithë cilësitë e treguara në këtë ndeshje, mund të shihni disa prej dobësive të ekipit, ndaj unë nuk do të kisha dëshirë t‘u besoja të rinjve". Genon beson se skuadra e tij ka marrë mësimet e duhura nga paraqitja e dobët dhe humbja tronditëse 1-0 në fushën e saj vetëm një ditë pasi zuri vendin e Mark MekGhi. "Ne jemi të kënaqur që shohim se metodat tona stërvitore kanë rezultuar efikase, shtoi më pas trajneri. Skuadra rifitoi krenari pas humbjes në ndeshjen e parë me Lanelin. Duhet që të bëjmë një lojë më sulmuese dhe të tregojmë më shumë guxim dhe kualitet në fushë. Unë nuk di shumë gjëra për skuadrën shqiptare, por ne jemi përqendruar te loja jonë", ka përfunduar trajneri i kundërshtarëve të Flamurtarit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›