Batutë për politikanët: "Pa FIFA nuk ka NATO"
Atë ditë që futbollisti Devolli i Partizanit goditi me shpullë trajnerin e Dinamos, Ilir Daja, kemi gënjyer veten. Ajo ishte shuplakë për të gjithë futbollin, ashtu siç do të konsiderohej një shuplakë për gjithë shkollën nëse nxënësi do të qëllonte mësuesin e vet. Por "Ginesi" i dhunës shqiptare na ka mësuar që të mos nxitohemi dhe të thoshim se futbolli nuk mund ta pësojë më keq. Pikërisht më 14 mars, dita e festimit më natyral, si për koincidencë, shndërrohet në ditën më të keqe për futbollin shqiptar. FIFA dhe UEFA na përzënë nga futbolli i kontinentit. Nuk dihet sa kohë, por nuk do të ketë ndeshje të Kombëtares dhe jo më të klubeve tona në Evropë. Shpjegimi i shefave ndërkombëtarë është lakonik: kjo është faturë e politikës! Thonë sikur me humor Blater dhe Platini kanë thënë se "gjithë këto vite më shumë halle kemi pasur me Shqipërinë me 3 milionë banorë, se sa me Kinën 2 miliardë". Sido që të jetë e vërteta, tani do të luajmë futboll brenda mureve të kalasë. Do të mungojë kombëtarja, me të cilën kishim sajuar ngushëllimin e futbollit dhe Evropa e klubeve shqiptare, që edhe pse shumë përflitet, në fund nuk ishim dhe aq të humbur.
Kur në një ditë të bukur me diell, si ajo e 14 marsit, është dëgjuar fraza "futbolli ka ngrirë", për disa ka qenë një ekuacion i vërtetë. Si mund të futet kjo lojë në akull? Të tjerë nuk besonin që topi të ftohej kaq shumë, sepse kishin parë në ekran buzëqeshjen e madhe të ministrit Pango, kur shefi i tij i madh, Berisha, shijonte tortën me fytyrën e tij. Por kishte edhe nga ata që thumbonin edhe më keq: ashtu si shefi i madh hëngri veten e tij, tani është radha që ministri Pango të "hajë" tortën e tij. Në një vend ku herë mungon uji, herë dritat, përjetohet si fundi i botës edhe mungesa e futbollit. Ndofta kaq tragjikisht e kupton veterani Lala kur deklaron se "pa futboll plas lufta". Imagjinoni se çfarë do të ndodhte po të na linin edhe pa shefa? Do të "plaste" paqja...
Atë që duhet të dimë në këto momente, nuk na e thotë kjo FIFA dhe UEFA. Sa kohë do t‘i mungojmë Evropës. Ose më saktë, sa kohë do na mungojë Evropa. Kushedi zotat e politikës pendohen për lojën që mori më keq sesa parashikohej. Në mjediset e tyre dhe në ato të Ministrisë së Sportit ka një peng për këtë FIFA-n: për një "Zemun" të hapen kaq shumë punë! Kurse në disa korridore të tjera, ato të Federatës kanë një shpresë të madhe se bota do të thotë: "Ju nuk mund të hyni në NATO, duke dalë nga FIFA".