Të hënën vendoset për grumbullimet
Në një kohë kur qeveria ka treguar se nuk do të lëkundet nga pretendimet e saj, ndeshjet e ekipeve përfaqësuese të futbollit janë vënë në dyshim serioz. Për këtë arsye, të hënën, në Federatën Shqiptare të Futbollit do të organizohet një mbledhje, ku do të përcaktohet nëse do të fillojnë grumbullimet e kombëtareve. "Qeveria nuk tërhiqet, FIFA kërkon të shohë hapa konkretë ndryshimesh (që realisht duan pak kohë) dhe për këtë arsye të gjitha ndeshjet ndërkombëtare për ekipin ‘A‘ dhe për Shpresat janë në dyshim", pohuan burime zyrtare në institucionin që drejton futbollin. "Të hënën do të zhvillohet një mbledhje, ku do të vendoset nëse grumbullimet e skuadrave do të fillojnë sipas axhendës". Më 17 mars, Kombëtarja duhej të fillonte grumbullimin për miqësoren jozyrtare me Arabinë Saudite (më datën 21 mars), ndërkohë që 5 ditë më pas ishte parashikuar të luhej miqësorja me Moldavinë. Të dyja këto ndeshje kishin një rëndësi të veçantë, pasi fillimisht trajneri Ari Han do të vëzhgonte lojtarët kandidatë për një fanellë kuqezi, ndërsa më pas ai do të vëzhgonte në aksion titullarët. Në këto kushte rrezikohet edhe ndeshja Shqipëri-Greqi për Under-21 e datës 26 mars, ndërkohë që tekniku Bushati kishte parashikuar të grumbullonte skuadrën për të hënën.